Fabrika për riciklimin e gomave të makinave në Tetovë do të ndërtohet, por vetëm nëse plotësohen procedurat dhe standartet. Para marrjes së vendimit përfundimtar, procedura duhet të kalojë disa faza. Në secilën fazë analizohet dhe kontrollohet ndikimi ndaj ambientit jetësor, ndërsa në fazën e fundit nga investitori kërkohet të instalojë pajisje mjaft të sofistikuara.
"Faza e parë është që të miratohet plani urbanistik, dhe kur miratohet plani urbanistik paraprakisht duhet të përgatitet studim për ambientin jetësor të cilin ne e miratojmë ose plotësojmë, kur miratohet plani për ndërtimin e fabrikës gjithashtu investitori duhet të përgatis studim për ambientin jetësor të cilin përsëri ne e miratojmë ose plotësojmë ose e kthejmë si negativ nëse nuk i plotëson pritjet tona, dhe e treta është kur instalohet e gjithë teknologjia në fabrikë, atëherë ne kërkojmë nga investitori që të instalojë teknologjinë më të mirë qasëse në botë", deklaroi Abdulaqim Ademi, ministër i ambientit jetësor.
Sipas Ademit krahasimet e fabrikës që duhet të ndërtohet në Tetovë me shkritoren e Velesit janë të paqëndrueshme. Ai tha se shkritorja në Veles ka teknologji të vjetruar që nuk garanton siguri ekologjike, është e ndërtuar në vend të gabuar dhe bëhet fjalë për industri të rëndë metalike, për dallim nga fabrika që duhet të ndërtohet në Tetovë, e cila nuk është në vend të banueshëm, por në zonë industriale dhe për të njëjtën do të kërkohen të zbatohen të gjitha teknologjitë moderne dhe nuk është fabrikë e industrisë së rëndë.
"Dallimi është shumë i madh, sepse në Veles bëhet fjalë për shkritore e cila është e vendosur që para 30 viteve në lokacion të gabuar, por edhe është një kapacitet shumë më i madh se fabrika që mund të ndërtohet në Tetovë, por edhe bëhet fjalë për dy teknologji dhe sfera të ndryshme", tha Abdulaqim Ademi, ministër i ambientit jetësor.
Ademi siguroi edhe një herë se nuk ka vend për panik, pasi askush nuk do lejojë të ndërtohet fabrikë nëse nuk plotësohen kriteret e rrepta për mbrojtjen e ambientit jetësor. Natasha Stojanovska
Comments