Fejzullahu dhe Sadiku nënkryetarë të rinj të PDSH-së

  • 9 years ago
Ndryshime në kryesinë e PDSH-së. Nga posti i nënkryetarit është larguar Imer Aliu, dhe janë vendosur dy nënkryetarë të rinj, Ernad Fejzullahu i cili deri tani ishte këshilltar politik në parti, si dhe Mujat Sadiku, anëtar i deritanishëm i Kryesisë. Kryesia e re, nga 33 anëtarë është shkurtuar në 21. Ndryshimet, sipas kreut të PDSH-së Thaçi bëhen për ruajtjen e diskrecionit në parti, për shkak të sulmeve dhe presioneve që vijnë nga shërbimi sekret. Por këto ndryshime, analistët politik i shohin të pa shpresa.

"Unë mendoj se këto janë ndryshime të agonisë. Gjithnjë e më shumë është e qartë se kjo parti përjeton një agoni të thellë pas gjithë disfatave që ndodhin, dhe në vend që të bëhen ndryshime reale dhe konkrete, që të rimëkëmbet partia, shkohet në ndryshime agonie, rikthehen disa persona që aty kanë qenë. Dhe parashtrohet pyetja; "Pse u përjashtuan dhe pse u kthyen?".... Kthimi i tyre nuk ka ndonjë bagazh të rëndësishëm apo ndonjë pozitivistet, por më shumë ka një bagazh të hijes së rëndë në veprimin e të kaluarës politike dhe asgjë nuk premtojnë rreth rimëkëmbjes së PDSH-së", tha Alajdin Demiri, analist politik.

Sipas Demirit, ndryshimet duhet të jenë rrënjësore dhe vetë-ndërgjegjësuese, për t'i dhënë impuls të ri partisë, organizim që do i rriste asaj ndikimin në popull.

"Ndryshimet duhet të jenë strukturale dhe funksionale. Nëse analizohet kjo do shohim se njerëzit kalojnë, shkojnë e vijnë mirëpo ai ngelet, dhe problemi nuk është tek strukturimi, se PDSH-ja ka struktura", u shpreh Alajdin Demiri, analist politik.

Ndërkohë, Partia Demokratike Shqiptare përmes një komunikate ka bërë të ditur se rikonfigurimi i organeve të partisë do të përmbyllet në mbledhjen e parë të kryesisë qendrore, në të cilën do të diskutohet për punën e deritanishme të sekretarëve të partisë, si dhe do të bëhet zgjedhja e sekretarëve që do të udhëheqin nëpër sekretariatet përkatëse. Pritet që një numër i konsiderueshëm i tyre të rikonfirmohen. Bashkim Sulejmani

Recommended