Kreu i Komisionit hetimor do të dihet pas 3 apo 4 ditësh. Lideri i ri i LSDM-së Zoran Zaev vetëm pak ditë pasi mori drejtimin e kësaj partie, u prit sot nga kryeministri Nikolla Gruevski. Pas takimit rreth një orë e gjysmë, Zaev tha se palët kanë bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së marrëveshjes politikë të 1 marsit.
"Jam i kënaqur që bëmë një hap përpara përsa i përket Komisionit të 1 marsit i cili duhet të hetojë ngjarjet e 24 dhjetorit. Hapi përpara ka të bëjë me marrjen e obligimit që brenda 3-4 ditësh të komunikojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes përfaqësuesve tonë, për zgjidhjen përfundimtare të Komisionit hetimor. Tashmë u bë një hap përpara rreth përmbushjes së marrëveshjes politike e cila shpresoj se do të jetë e qëndrueshme, të paktën për çështjet e interesit të lartë kombëtar të Maqedonisë", - deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Kreu i LSDM-së nuk deshi të zbulonte Kreun e mundshëm të Komisionit hetimor. Zaev tha se me rëndësi, është formimi sa më shpejti i komisionit dhe zbardhja e incidenteve që futën vendin në ngërçin politik disa mujorë.
"Ky hap për ne është shumë i rëndësishëm për shkak se deputetët tanë, ju gazetarët ishit përzënë nga parlamenti. Formimi i këtij Komisioni është në të mirën e shtetit tonë, edhe pse është një nga kushtet kryesore për aspiratat tona euro-atlantike. Prandaj insistojmë që të formohet Komisioni dhe brenda një afati shumë të shkurtër të dalë me konkluzione në mënyrë që të mbyllim të hënën e zezë të 24 dhjetorit", - tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev tha se fajtorë për mungesën e dialogut mes pushtetit dhe opozitës janë të dyja palët. Ai tha se takimi i sotëm jep shpresë që dialogu politik të jetë i qëndrueshëm të paktën për çështjet e rëndësishme të shtetit dhe qytetarëve. Kreu i ri i LSDM-së sot takoi veçmas edhe ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Shkup, Aivo Orav dhe Poll Uollers. Siç njoftuan nga LSDM-ja, kryefjala e bisedimeve ka qenë zgjidhja e çështjes së emrit dhe formimi i Komisionit hetimor. Ambasadori i BE-së refuzoi të deklarohej rreth propozimeve që ka përgatitur Delegacioni i BE-së në Shkup rreth ekspertit që do të marrë kryesimin e Komisionit hetimor. Sipas burimeve të Alsat, në kreu të këtij komisioni do të jetë një ekspert ndërkombëtar, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Semra Jakupi
Comments