Drejtoresha e Entit Shtetëror për Statistika Bllagica Novkovska nuk ka pranuar të përballet me pyetjet e televizionit Alsat M lidhur me mungesën e shqiptarëve në pozitat drejtuese në këtë institucion. Në vend që t'i përgjigjet pyetjeve tona, ajo preferoi t'i përmbahej reagimit të djeshëm të Entit të Statistikave, që në fakt nuk kishte as edhe një fjalë lidhur me shqetësimin e ngritur nga ALSAT; rezervimin e pozitave drejtuese, ekskluzivisht për maqedonasit. Në këtë institucion të organizuar në 7 sektorë, asnjë prej udhëheqësve sektorial nuk është shqiptar. Përveç kësaj, edhe udhëheqësit e 36 njësive në këta sektorë janë të gjithë maqedonas, përfshi këtu edhe udhëheqësin e njësisë rajonale në Tetovë. Pozita më e lartë e një shqiptari në Entin Statistikor është zv/drejtues në njërin prej sektorëve. Në redaksinë e televizionit Alsat M ka arritur edhe një reagim prej të punësuarve shqiptarë në Entin Shtetëror të Statistikave, të cilët shpjegojnë se edhe shpërndarja e shqiptarëve në nivele të ulëta, nuk bëhet ashtu siç duhet, duke iu mbyllur derën të punësuarve shqiptarë në njësi të rëndësishme, siç është Njësia për Demografi dhe Regjistrim Statistikor të Popullsisë.
"Në Njësinë për Demografi dhe Regjistrin Statistikor të Popullsisë NUK KA ASNJË shqiptar, i cili do të ishte pjesë e ekipit që ndjek lëvizjet dhe trendet demografike. Gjithashtu në këtë letër të shkurtër, do të përmendim edhe faktin se, 12 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, numri apo kuota prej 25% në aspektin horizontal nuk është përmbushur; ajo është vetëm 16%.... të mos flasim për aspektin vertikal apo për pozitat udhëheqëse në këtë institucion ku përqindja është zero" - thuhet mes të tjerash në letrën e të punësuarve.
Kolltukët udhëheqës në të gjitha këto njësi hierarkike që shihni në ekran janë të rezervuara vetëm për maqedonasit. Enti shtetëror i Statistikave është institucioni kyç për krijimin e statistikave zyrtare, që në një shtet si Maqedonia janë edhe burim i së drejtës, për shkak të Kushtetutës dhe ligjeve të bazuara në numra. Mungesa e kuadrove shqiptarë në pozitat udhëheqëse të këtij institucioni jo vetëm që është në kundërshtim me Parimin kushtetues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por nxit edhe mosbesim të popullatës shqiptare. Benjamin Arifi
Comments