Tetovë, qytetarët kundër fabrikës për riciklimin e gomave

  • 9 years ago
Banorët e Tetovës shprehen të shqetësuar pas paralajmërimeve se shumë shpejtë në mes të Pollogut në afërsi të Tetovës do të ndërtohet një fabrikë për riciklimin e mbeturinave, për mbledhjen dhe djegien e gomave të automjeteve. Banorët e anketuar nga ALSAT M shqetësimin e tyre kryesor e kanë për lëndët acide që do përdoren për shkrirjen e gomave, të cilat, përveç që mundë të ndikojnë në helmimin e tokës pjellore të njëjtat mund të paraqesin rrezik edhe për banorët.

"Gjithë investimet e huaja që bëhen për të përmirësuar standardin jetësorë të njerëzve kudo qoftë janë të mira, megjithatë duhet pasur parasysh standardet që të mos e prishin ekologjinë dhe të mos e ndotin natyrën".

"Normalisht kjo për shëndetin e njerëzve është e keqe, dhe, këtë do e kisha venduar në plan të parë, shëndetin e njerëzve".

"Aq sa është e dobishme aq mundë të jetë edhe e dëmshme për ajrin, për njerëzit për tokën. Por duhet pasur kujdes për këto gjëra ku do investohen ku do hapen këto fabrika".

Nga ana tjetër, drejtuesit e shoqatave ekologjike paralajmërojnë se ndotja e ambientit për rreth fabrikës është e pa evitueshme. Ata kërkojnë që në rast se ndërtohet një fabrikë e tillë, e njëjta të jetë me standardet e duhura të sigurisë, sidomos për tokën pjellore që ndodhet rreth zonës ekonomike. Muajt e fundit në Tetovë ajri është i ndotur me grimca pluhuri, ndërsa si pasojë e ndotjes së ajrit, muajt e fundit në Spitalin e Tetovës është shtuar edhe numri i pacientëve me sëmundje të organeve të frymëmarrjes. Bashkim Sulejmani

Recommended