Në mes të Pollogut do të digjen goma

  • 9 years ago
Në mes të Pollogut, në afërsi të Tetovës do të ndërtohet një fabrikë për riciklimin e mbeturinave, gjegjësisht, për mbledhjen dhe djegien e gomave të automjeteve. Kjo është një nga investimet që e siguroi njeriu i parë i Agjencisë për thithjen e investimeve të huaja, Visar Fida. Ky investim në zemrën e një prej rajoneve më të rëndësishme bujqësore që është me popullsi të dendur, pritet të fillojë së shpejti.
Nuk morëm detaje rreth këtij investimi, sepse njeriu i pari i Agjencisë, Fida nuk u prononcua. Ministri i ekonomisë, Valon Saraqini siguroi opinionin se investimi nuk do jetë i dëmshëm për qytetarët. Ai thotë se gjatë thithjes së investimeve, qartë është sqaruar se cilat teknologji mund të futen në zonë, e nëse paraqitet ndonjë kompani me teknologji të rrezikshme për ambientin, në këtë rast dispozitat ligjore janë të qarta.

"Kuptova se para një muaji është nënshkruar me një kompani turke e cila merret me riciklimin e gomave. Dua të them se ligji parashikon saktë se çfarë industrie duhet të punojë në zonë. Unë shpresoj se kompania me të cilin ka nënshkruar partneri privat, i plotëson standardet më të larta ekologjike dhe shpresoj që shumë shpejt, nëse janë marrë vesh, ata duhet të fillojnë me punë. Edhe përkundër asaj që do të hapen 100 apo 200 vende pune, për mua si ministër dhe për ne si qeveri më me rëndësi është ambienti jetësor dhe siguria e qytetarëve që jetojnë në rajonin e Pollogut", tha Valon Saraqini, ministër i ekonomisë.

Megjithatë, përvoja e deritanishme flet tjetër gjë. Treshja ekonomike në qeveri, Nikolla Gruevski, Zoran Stavrevski dhe Vladimir Peshevski, si një nga masat anti-krizë e përdorin anulimin e zbatimit të standardeve ekologjike që janë shumë të shtrenjta, por që i mbrojnë qytetarët. Tashmë një kohë të gjatë në Maqedoni, sidomos në Shkup dhe rrethinë ajri është shumë i ndotur dhe sipas analizave të Bankës Botërore, mbi një mijë qytetarë në vend vdesin si pasojë e koncentrimit të lartë të grimcave në ajër. Goran Temenugov

Recommended