Aktorët shqiptarë të diskriminuar në paga

  • 9 years ago
Aktorët shqiptarë riaktualizojnë çështjen e diskriminimit në paga, për dallim nga kolegët e tyre maqedonas. Dallimi në paga mes aktorëve shqiptarë dhe atyre maqedonas është i theksuar, andaj aktorët shqiptarë nuk shohin arsye për një diskriminim të tillë. Punonjësit e teatrit në krye me veteranin e skenës Bajrush Mjaku kanë filluar një iniciativë, duke dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe Institucione tjera listën e aktorët shqiptarë të cilët kërkojnë që pagat e tyre të jenë të njëjta me ato të aktorëve maqedonas.

"Ne të gjithë aktorët e teatrit shqiptarë kemi nënshkruar këtë peticion, që është dërguar deri te Avokati i Popullit, ministrja, te Ministria e Financave, Qeveria... Këtë punë duhet të bëjë dikush tjetër. Një aktor siç është Bajrush Mjaku me autoritet, ambasador i kulturës shqiptare në trojet mbarëshqiptare, të krahasohet me një punëtorë të thjeshtë në nivelizim të rrogës është turp për shoqërinë tonë. Mendoj se është punë 10 minutëshe për të zgjidhur këtë problem, që të mblidhet drejtori i teatrit tonë, kryetari i Sindikatës, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe ky projekt të hyjë në buxhetin e vitit 2014", tha Ylber Murtezi, aktor.

"Ky është një diskriminim i llojit të vet, këtë diskriminim duhet dikush ta zbus që ta zgjidh këtë, ne do punojmë në këtë drejtim natyrisht na duhet bashkëpunim me ata që kanë marrë votën por nuk do të thotë që të jemi indiferent dhe ne, se pa u ankuar ne askush nuk do a e zgjidh këtë problem", deklaroi Myzafer Etemi, aktor.

"Unë nuk e di me çka e meritojnë ata më shumë rrogë se sa ne,sepse po bëjmë të njëjtën punë dhe po ju garantoj se nuk janë aspak më të mirë më të aftë dhe më të kualifikuar se sa ne,për të marr një shpërblim më të madh ndaj neve. Por unë mendoj se është diskriminim i përgjithshëm dhe kjo ndodh në çdo sferë", tha Elmir Sejfullai, aktor.

"Po të ju them të drejtën edhe nuk është për tu habitur sepse jemi të diskriminuar në krejt sferat", u shpreh Arsim Fazlija, aktor.

Problemi i diskriminimit të tillë të aktorëve shqiptarë është tashmë shumëvjeçar. Edhe përkundër reagimeve të shumta, ky problem tashmë disa vite po zvarritet dhe nuk po gjen zgjidhje. Aktorët shqiptarë shpresojnë që iniciativa e tyre të merr përgjigje pozitive nga Institucionet kompetente. Benjamin Arifi

Recommended