Shqiptarët në Entin Statistikor, vetëm në nivele të ulta

  • 9 years ago
Shqiptarët janë të padëshiruar për Entin Shtetëror të Statistikave. Dyert e këtij institucioni shtetëror mbeten të mbyllura për shqiptarët. Në Entin e Statistikave shqiptarët janë të përfaqësuar me 17 për qind edhe atë në nivelin më të ulët dhe pa kompetenca. Posti më i lartë që kanë shqiptarët në këtë Institucion është ai i zëvendës udhëheqësit të një sektori. Përveç drejtorit dhe zv/drejtorit maqedonas, në këtë Institucion edhe udhëheqësit e shtatë sektorëve janë maqedonas.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti këtë problematikë e kishte potencuar si shkaktar kryesor për dështimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011. Shqiptarët sipas tij, nuk kishin qasje dhe kompetenca në sistemin elektronik të përpunimit të të dhënave, dhe në sektorët tjerë të Entit Statistikor, që bënte të pamundur kontrollimin e mbarëvajtjes të procesit të regjistrimit.

"Çështja e tretë ka qenë çështja e mosbesimit që ne e kemi pasur, e kemi, dhe do të vazhdojmë ta kemi, përderisa statistika sillet kështu. Edhe asokohe, ne nuk kishim personin e dytë, që gjithmonë në 10 vitet e fundit zv/drejtori i Entit të Statistikave ka qenë shqiptarë. Atë kohë ne nuk kemi pasur as zv/drejtor. Mos të flasim në njësinë e përpunimit elektronik të të dhënave, ku ne nuk kishim asnjë akses", pati deklaruar Abdylmenaf Bexheti, akademik.

Zv/kryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferri tha dje për ALSAT M se çdo tentim për manipulimin e numrave zyrtar nga Enti Shtetëror për Statistika do të jetë i përkohshëm dhe do të pengohet. Por ai nuk shpjegoi se si do të pengojë këtë manipulim, duke mos pasur asnjë shqiptar në pozitat udhëheqëse në Entin për Statistika.

"Shqiptarët fundi fundit janë aq sa janë. Enti Statistikor apo çdo Ent tjetër nuk mund ti manipulon, edhe nëse tenton do të jetë shumë e përkohshme", tha dje Musa Xhaferri, zv/kryeministër.

Regjistrimi i vitit 2011 u ndërpre me vendim politik. Dy vite pas dështimit të tij, ende nuk dihet nëse një proces i tillë do të rifillojë së shpejti. Benjamin Arifi

Recommended