Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Asnjë prononcim nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit lidhur me ngecjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në Fondin për Sigurim Shëndetësor. Zv/kryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferri sot nuk ishte i kapshëm për Televizionin Alsat M, të shpjegonte se pse nuk ka asnjë shqiptar në mesin e 7 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Fondit, të emëruar nga Qeveria, kur ligji parashikon përfaqësim të drejtë dhe adekuat edhe në këtë organ. Një ditë më parë, drejtori i FSSH-së Xhemali Mehazi shpjegoi se iniciativat për punësime shqiptare në Fondin Shëndetësor janë penguar nga drejtori tjetër paralel Jovan Gërpovski dhe Bordi Drejtues i përbërë vetëm nga maqedonas.

"Në FSSH, në bazë të ligjit, parashikohet që të ketë 7 anëtarë të Këshillit Drejtues. Të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues... nuk ka asnjë shqiptar. Zakonisht, epilogu në momentet që nuk kemi rënë dakord, në vazhdimësi të gjitha iniciativat e mia janë refuzuar nga Këshilli Drejtues. Një ndër to është edhe kërkesa apo obligimi ligjor dhe kushtetues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në këtë institucion", tha dje Xhemali Mehazi, drejtor i FSSH-së.

Në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues është shkelur rëndë Ligji për Sigurime Shëndetësore dhe Statuti i Fondit Shëndetësor, i cili parashikon që gjatë emërimit të anëtarëve të Bordit duhet të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve etnike. Ndaj shkeljes së tillë të ligjit nuk ka reaguar asnjë funksionar shqiptar në Qeveri, ndërsa indiferenca e tyre po vazhdon edhe pas sensibilizimit të këtij rasti nga televizioni Alsat M. Përveç problemit të përfaqësimin e drejtë në FSSH, ku shqiptarët përbëjnë vetëm 6%, Alsat M mëson se Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit po hasë edhe në vështirësi të tjera, në sistematizimin e të punësuarve shqiptarë. Siç mëson Alsat M, administratorët shqiptarë me kontrata të nënshkruara që marrin rrogë dhe rrinë në shtëpi, nuk mund të shpërndahen nëpër institucione shtetërore, pasi një gjë e tillë vazhdimisht refuzohet nga institucionet që drejtohen nga kuadro të VMRO DPMNE-së. Një shembull i tillë, sipas informatave tona nga terreni, është Drejtoria për të Ardhura Publike e cila ka refuzuar pranimin e administratorëve shqiptarë që mezi presin të fillojnë ushtrimin e punës. Një praktikë të tillë po ndiqet pothuajse nga të gjitha drejtoritë e tjera me drejtorë maqedonas. Benjamin Arifi

Category

📺
TV
Comments

Recommended