Samiti i anuluar i krerëve të shteteve dhe qeverive të Europës Juglindore, i cili duhej të mbahej këtë fundjavë në Ohër dhe Strugë, i ka shkaktuar një dëm prej 300 mijë eurove, buxhetit të shtetit. Kjo ishte shuma e parashikuar në buxhet për këtë samit, që përfshinte mbrëmjen gala, drekën me meny maqedonase, verën maqedonase, si dhe dhuratat e planifikuara për mysafirët nga presidenti Gjorge Ivanov. Mysafirët duhet të largoheshin me shishe vere cilësore maqedonase, ëmbëlsira fiku, ajvar dhe për kujtim, ishin përgatitur edhe punime artizanale prej filigrani për zonjat. Mysafirët duhej të akomodoheshin në hotelet Ineks Gorica, Metropol dhe Granit. ALSAT M kërkoi qëndrim nga Kabineti i presidentit Ivanov lidhur me sasinë e parave të shpenzuara për rezervimet në hotele, mbrëmjen dhe drekat, transportin dhe dhurata, për reklamimin e samitit nëpër pllakata etj, presidenca nuk deshi të komentonte.
"Kabineti i presidentit, për organizimin e Samitit XVI të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore dhe Forumin XI rajonal 'Dialogu mes qytetërimeve' që duhej të mbahej këtë fundjavë në Ohër dhe Strugë, kishte buxhet të përcaktuar dhe vërtetuar, i hartuar për mbarëvajtjen e suksesshme të këtyre dy evenimenteve. Në përputhje me rregullativat ligjore, në mënyrë transparente u realizuan prokurimet publike dhe u kryen procedurat me të cilat u krijuan kushtet për organizim të suksesshëm të samiteve. Pas vendimit për anulimin e këtyre dy evenimenteve, Kabineti i presidentit, në periudhën e ardhshme së bashku me kreditorët me të cilët u arrit marrëveshja për prokurimet publike, do të vërtetoj shpenzimet reale të kryera deri në ditën e anulimit të ngjarjeve, dhe do t'i kompensojë ato nga paratë e parashikuara për këtë qëllim", thuhet në komunikatë.
Menaxherët e hoteleve nuk deshën të zbardhin se sa janë dëmet për bizneset e tyre pas anulimit të samiteve. Nëse merret parasysh se tre hotelet ishin tërësisht të rezervuara, dhe një rezervim është nga 10 deri në 100 euro, varësisht nga kërkesa e klientit, atëherë bëhet fjalë për një sasi të madhe parash. Nga hotelet nuk komentuan as edhe faktin, nëse shteti do t'i paguajë dëmet që parashikohen në rregulloren për akomodim. Sipas rregulloreve, kjo do të thotë se nëse rezervimi është bërë treditor për person, shteti duhet t'u paguajë hoteleve, të paktën një natë për çdo mysafir, pa marrë parasysh anulimin e samitit. Përveç akomodimit, edhe shpenzimet për transport ishin në llogarinë e Kabinetit të presidentit. Nga shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, thonë se prej tyre janë kërkuar njëzet kamerierë që duhej t'u shërbenin mysafirëve, 10 makina Volsfagen Pasat me shoferë dhe 4 furgonë. Numri një i shërbimit Vase Donevski thotë se ata nuk kanë pasur shpenzimesh, pasi për shkak të anulimit të samitit, asnjë nga të angazhuarit nuk ka shkuar në Ohër, dhe udhëtimet janë anuluar. Verica Pavllovska
Comments