Përfaqësimi i dobët i shqiptarëve në Fondin për Sigurim Shëndetësor, me vetëm 6%, dukshëm vërehet edhe në terren. Në zyrat e Fondit Shëndetësor në Komunën e Çairit, të cilat u hapën vetëm pak ditë më parë, nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Qytetarë të revoltuar kontaktuan televizionin Alsat M, për shkak se kishin hasur në vështirësi në komunikimin me punonjësit e Fondit. Qytetarët nga frika nuk deshën të flasin para kamerës, por kërkuan që së paku në zyrat e Fondit në Komunën e Çairit, në të cilën shumica janë shqiptarë, të ketë të punësuar edhe shqiptarë, për të lehtësuar komunikimin me qytetarët.
"Normalisht që na pengon. Në Çair ka shumicë shqiptare dhe duhet të ketë të punësuar. Por nuk ka", tha një qytetar.
Përkundër faktit që nuk ka të punësuar shqiptar, udhëzuesi për plotësimin e dokumenteve të nevojshme, orari i punës dhe koha e pauzës janë vetëm në gjuhën maqedonase. Në gjuhën shqipe mund të shihet vetëm një tabelë me mbishkrimin e FSSH-së. ALSAT M edhe për këtë problematikë kërkoi qëndrimin e drejtorit të FSSH-së Xhemali Mehazi, por nuk gjeti kohë të flasë para kamerës. Në Fondin për Sigurim Shëndetësor shqiptarët janë të përfaqësuar me vetëm 6%, edhe pse Mehazi që në fillim të mandatit kishte premtuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionin të cilin ai drejton. Pos dështimit në përfaqësimin e shqiptarëve, Mehazi nuk arriti që as ueb faqen e këtij institucioni ta bëjë edhe në gjuhën shqipe. Benjamin Arifi
Comments