Ministri i arsimit dhe shkencës Pançe Kralev ka dhënë sot dorëheqje nga ky post, me çka dhe i hapi rrugë rikonstruimit të vogël qeveritar. Kryeministri Gruevski ka vendosur që në vend të Kralevit për ministër të arsimit të emërojë Spiro Ristovskin, ministër aktual i Punës dhe Politikës Sociale. Ndërkaq në vendin e Ristovskit në Sociale do ta zë ish drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Dime Spasov. Iniciativën për ndryshimet në kabinetin qeveritar, kryeministri Gruevski e ka dorëzuar dje në Kuvend. Ministri i Arsimit dhe shkencës Pançe Kralev ka thënë se nga posti i ministrit tërhiqet për shkaqe personale dhe familjare. Ai ka thënë se nuk është në gjendje plotësisht ti përkushtohet funksionit dhe me sukses t'i realizojë projektet që janë paraparë për periudhën e ardhshme. Megjtihatë Kralev do të mbetet këshilltar i kryeministrit Gruevski për çështje të arsimit. Rikonstruimi i kabinetit qeveritar përfshinë edhe ministrinë e vetëqeverisjes lokale, ku zv/ministri Sasho Llazarovski, braktis postin për shkak se është emëruar këshilltarë në Komunën e Karposhit, në vend të tij do të ulet Gjiorgjija Sajkovski. Për ministër të ri pa resor është propozuar Xheri Naumof. Për këtë propozim deputetët pritet të votojnë gjatë seancës së nesërme plenare. Ky është rikonstruimi i dytë i Qeverisë Gruevski në pesë muajt e parë të këtij viti. Rikonstruimin e parë e bëri BDI-ja. Në prag të zgjedhjeve lokale Teuta Arifi u largua pasi ishte kandiduar për kryetare të Tetovës dher në vend të saj erdhi Fatmir Besimi, ndërsa vendin e Besimit në mbrojtje e zuri Talat Xhaferri. Në vend të Nevzat Bejtës i cili gjithashtu u largua për shkak tëg kandidaturës së tij, për ministër të Vetëqeverisjes lokale u emërua Tahir Hani. Rikonstruimi i parë përfshiu edhe zv/ministrat. Xhelal Bajrami kaloi në postin e zv/ ministrit për transport dhe lidhje, ndërsa në MPB si zv/ ministër u emërua Zemri Qamili. Bedri Rexhallari
Comments