Analistët vlerësojnë se vendimi për lustrimin e ish ministrit të brendshëm dhe anëtarit e Komisionit Anketues për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit Lubomir Fërçkovski, është goditje ndaj Komisionit dhe agjendës evropiane. Vetë Fërçkovski nuk deshi të komentojë procesin e lustrimit që po zhvillohet ndaj tij. Lidija Dimova nga Qendra për edukim evropian thotë se me këtë informatë, bllokohet totalisht puna e Komisionit Anketues.
"Mund të konkludojmë se deri në qershor nuk ka asgjë nga Komisioni Anketues, për shkak se me këtë që ndodhi dje, hedhën hi në sytë e ariut, për shkak se LSDM-ja tha se nuk e njeh Komisionin për lustrim, dhe kjo do të thotë se ata nuk do të reagojnë. Tani e bllokuam Komisionin Anketues. Nëse ka qenë qëllimi i kryeministrit Gruevski që të bllokojë ad-hok Komisionin, dje më në fund e arriti këtë qëllim", tha Lidija Dimova, Qendra për edukim evropian.
Nëse Fërçkovski shpallet si "urdhërdhënës" i shërbimeve sekrete nga ana e Komisionit për lustrim, nuk do të ketë të drejtë të kryejë funksion publik, e as të jetë anëtarë në Komisionin e tillë hetimor. Lidija Dimova shprehet se goditja e tillë ndaj Fërçkovskit jo vetëm që është goditje e pushtetit ndaj LSDM-së, por edhe krijim i arsyes për dështimin e marrjes së datës për fillimin e bisedimeve në samitin e ministrave evropian në fund të qershorit.
"Kur bëhet fjalë për kryeministrin tonë, mendoj se me një gjuajtje vret dy miza. Edhe LSDM-në e cila tani është shumë e zënë me zgjedhjet brenda saj, që nuk është arsyetim për të mos reaguar për disa gjëra, nga ana tjetër varros agjendën evropiane. Jo rastësisht kryeministri doli me atë deklaratë. Sepse tashmë filluan lajmet e para se asgjë nuk do të ketë në qershor, e thanë edhe Fyle edhe Sanino. Kështu që perandoria kthen sulmin. Sulmi dihet, adresa e parë është LSDM-ja, por praktikisht godet tërë shtetin", deklaroi Lidija Dimova, Qendra për edukim evropian.
Në marrëveshjen politike të marsit me ndërmjetësimin e komisarit për zgjerim Shtefan Fyle, VMRO DPMNE dhe LSDM u zotuan që deri në qershor të fillojë me punë Komisioni Anketues, i cili do të hetonte ngjarjet e 24 dhjetorit në Kuvend, ditën e miratimit të buxhetit për vitin 2013. Benjamin Arifi
Comments