Kuvendi rrëzoi iniciativën e 'Dinjiteti'

  • 9 years ago
Kuvendi hodhi poshtë si të pabazë nismën e 'Dinjitetit' për organizimin e referendumit për disa çështje, organizimi territorial, ligji i amnistisë dhe nëse duhet ose jo që ish pjesëtarët e UÇK-së të bartin funksione publike. I befasuar nga ky qëndrim, kreu i 'Dinjitetit' Stojançe Angelov kërkoi nga kreu i parlamentit Trajko Veljanovski që të paktën, të respektojë ligjin për referendum dhe të vërë në rend dite të seancës së parë të ardhshme të parlamentit këto çështje të referendumit, me qëllim që deputetët të deklarohen me qëndrimet e tyre.

"Ne vlerësojmë se kryetari nuk ka të drejtë që thjeshtë iniciativën tonë ta shpallë të pabazë. Nëse për të, këto çështje të ndejshme janë të pabaza, për ne janë me rëndësi nacionale për shtetin. Kërkojmë nga Trajko Veljanovski të respektoj ligjin për referendum dhe çështjet tona për referendum t'i vendos në seancën e parë të ardhshme", deklaroi Stojançe Angelov kryetar i 'Dinitetit'.

Angelov tha se nuk heq dorë nga kjo nismë dhe se do të vazhdojë më tej përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi. Ai i bëri thirrje gjykatës kushtetuese që në afat të shkurtër të deklarohet për iniciativën e tyre për nenin 28 të ligjit për referendum, i cili ndalon mbajtjen e referendumit për çështje të caktuara siç është ligji i amnistisë dhe ligjet e miratuara me Badenter.

"Do ta presim iniciativën tonë nga gjykata kushtetuese. Gjykata, herët a vonë, do të deklarohet për iniciativën tonë. Nëse ajo do të vonohet një muaj, 3 apo ndoshta 4, por një ditë patjetër ata do të debatojnë për të. Unë jam i bindur se gjykata kushtetuese sado që të jetë nën ndikim politik dhe ndikimit të gjykatësve që gjykojnë për fat të keq edhe në bazë të çelësit etnik, që këtë nen që ndalon mbajtjen referendumit për çështje të caktuara ta shpallë jo kushtetues, pas të cilit do të largohet pengesa e vetme për mbledhjen e firmave. Gjithçka i mbetet kohës dhe ne shpresojmë se për disa muaj do te kemi përgjigje nga gjykata kushtetuese", tha Stojançe Angelov kryetar i 'Dinitetit'.

Ndërsa presin përgjigjen nga gjykata kushtetuese për iniciativën e ngritur 1 muaj më parë, 'Dinjiteti' pritet të organizojë një tribunë shkencore me njohës të së drejtës kushtetuese të cilët do të japin vlerësimin e tyre për iniciativën dhe nenin 28 të ligjit për referendum. Gjyltene Rexhallari

Recommended