Ohër, Kosova nuk ftohet në dy konferenca

  • 9 years ago
Në konferencën rajonale të kryeparlamentarëve të Europës Juglindore munguan përfaqësuesit kosovar. Shkupi zyrtar, si organizator i konferencës, nuk i ka dërguar ftesë shtetit të Kosovës. Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja, e cila si kryetare e Komitetit parlamentar për marrëdhënie ndëretnike po merr pjesë në këtë konferencë, i hedh fajin Ministrisë së Jashtme, si përgjegjësja për ftesat dhe organizimin.

"Nuk është Parlamenti, institucioni që krijon politikën e jashtme, është Ministria e Jashtme dhe llogarisë se atje duhet kërkuar përgjegjësia për mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së ftesave për pjesëmarrësit në këtë ngjarje të rëndësishme. Unë mendoj se pikërisht kjo situatë e cila u krijua lidhur me pjesëmarrjen ose jo të Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme politike për Evropën Juglindore, është në fakt arsyeja dhe argumenti më i fuqishëm pse Kosova duhet që sa më shpejtë të nis procedurat e anëtarësimit në procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore" , deklaroi Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së.

Në konferencë nuk po merr pjesë as kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli. Në vend të saj, Shqipërinë në Ohër e përfaqëson kryetari i komisionit të jashtëm parlamentar Fatos Beja. Media të ndryshme nga Kosova kanë paraqitur mungesën e Topallit si shenjë proteste për anashkalimin e ftesës për Kosovën. Megjithatë, të kontaktuar nga televizioni ALSAT, kabineti i kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli, si arsye të vetme për anulimin e pjesëmarrjes në konferencë theksoi axhendën e mbi-ngarkuar të Topallit, për shkak të fushatës parazgjedhore në Shqipëri. Të shtunën dhe të dielën në Strugë dhe Ohër do të mbahet edhe konferenca e Presidentëve të shteteve të Evropës Juglindore. Edhe në këtë konferencë, Kosovës nuk i është dërguar ftesë përsëri. Arsyetimi zyrtar nga kabineti i presidentit Gjorge Ivanov ka qenë se dërgimin e ftesës për Kosovën e ka penguar Serbia, e cila ka kërcënuar me bojkot të konferencës. Benjamin Arifi

Recommended