Ministria e Brendshme ende nuk ka dhënë detaje për kapjen e autorëve që tre ditë më parë vandalizuan shtëpinë muze të alfabetit shqip në Manastir. Vandalët shëtisin të lirë, por policia thotë se është vënë në kërkim të tyre dhe së shpejti rasti do të zbardhet në tërësi dhe autorët do të nxirren para drejtësisë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi thotë se MPB ende nuk i ka njoftuar ata se vallë ka indikacione për kapjen e keqbërësve dhe nëse ata u janë vënë në gjurmë.
'Për fat të keq ne nuk kemi ende informata se kush janë kryerësit e këtyre veprave sepse sigurisht kanë qenë më tepër persona pasi isha unë aty prezent dhe pash nëpër dysheme kishte edhe gurë të lënë, dhe sigurisht që organet përkatëse kanë marrë edhe gjurmët e gishtave të personave që kanë qenë aty dhe edhe si ministri por edhe si Qeveri kërkojmë nga MBP që sa më shpejt ti gjejnë dhe ti nxjerrin para drejtësisë personat të cilët e kanë kryer këtë akt të shëmtuar', tha Muzafer Bislimi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës.
Bislimi thotë se ai personalisht gjatë ditës së premte ka vizituar shtëpinë muze të alfabetit në Manastir dhe i ka thënë drejtorit të këtij institucioni që të bëjë vlerësimin e dëmeve që janë bërë me qëllim që të njëjta të diskutohen të martën, në mbledhjen e parë të Qeverisë.
'Besojë se gjatë ditës së hënë do të përgatitet informata e cila do të shkojë në mbledhjen e parë të Qeverisë e cila do të mbahet ditën e martë. Aty do të kemi përveç asaj që ne si Ministri e Kulturës dhe si Qeveri që e dënojmë aktin vandal që është kryer në Muzeun e Alfabetit, do të merren edhe masa konkrete që dëmet sa më shpejtë të riparohen por edhe të ndërmerren masa tjera të cilat do të parandalojnë në të ardhmen të ndodhin kështu incidente', u shpreh Muzafer Bislimi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës.
Akti i vandalizmit të shtëpisë muze të alfabetit shqip në Manastir u dënua nga institucionet shtetërore në vend. Ata kërkuan që institucionet e sistemit të gjejnë sa më shpejtë autorët e krimit dhe t'i nxjerrin para drejtësisë. Ndërsa shoqata e Historianëve shqiptarë në Maqedoni, kërkoi intervenimin e Tiranës dhe Prishtinës që të mbrojnë trashëgiminë kulturore e historike të shqiptarëve kudo që ato ndodhen. Valmir Kuçi
Comments