Pas me shumë se 90 minutash debat, këshilli komunal i Strugës nuk arriti sërish të zgjidhte kryetarin e tij. Me 11 vota kundër, 9 pro dhe 5 abstenim, propoyimi i PDSH-së për kryetar Abdulla Qazimi, ra. Ndërsa 2 këshilltarët e Partisë për Ardhmëri Europiane (PAE) nuk morën pjesë në votim, duke njoftuar shkëputjen nga grupi i këshilltarëve të BDI-së për të vepruar më vete.
"Ne si grup këshilltarësh të BDI-së votuam të përmbajtur, shkaku ka qenë se bisedimet paraprake kanë qenë jo në nivel dmth ato nuk kanë qenë serioze dhe prandaj ne morëm edhe vendimin e kryesisë qendrore, prandaj votuam edhe të përmbajtur. Tani edhe pse u thanë disa fjalë nga kryetari, se ne kemi mbrojtur me votat tona të raundit të dyte drejtoritë, ne nuk jemi kundër kryesuesit të këshillit, por thjesht ka qenë vendimi i këshilltarëve dhe kryesisë qendrore", tha Fitni Dalipi, Këshilltar i BDI-së.
Kryetari i Komunës së Strugës Ziadin Sela e quajti absurd qëndrimin e BDI-së kundër kandidaturës së Abdulla Qazimit.
"Unë si kryetar komune jam ekzekutivi i komunës së Strugës, ndërsa këshilli i komunës është legjislativi. Sic patë në seance, propozimet për Abdulla Qazimin u dhanë nga komisioni që u zgjodh nga këshilltarët. Për mua është vërtet absurde me këshilltarët e tjerë që nuk e votuan këtë propozim që në fund të fundit përfaqëson një zonë të tërë të cilës, e kemi shumë lehtë ti kërkojmë vota dhe nga ana tjetër kur vjen për t'i dhënë një pozicion të rëndësishëm, nuk jemi aty për tua dhënë votën. Prandaj u thash që në fillim, per mua është absurd vendimi i BDI-së për mos votuar jo për Abdulla Qazimin por për këtë zonë", deklaroi Ziadin Sela, kryetar i komunës së Strugës.
Seanca e radhës e Këshillit komuna nuk u përcaktua se kur do të mbahet, por pritet që gjatë kësaj jave të zhvillohen takime mes dy partive shqiptare për gjetjen e një opsioni të përbashkët. Durim Etemi
Comments