Shqipja përçan këshilltarët e BDI-së në Çuçer Sandevë

  • 9 years ago
Dy këshilltarët e BDI-së në Komunën e Çuçer Sandevës, të cilët javën e kaluar braktisën mbledhjen e Këshillit për shkak të mungesës së gjuhës shqipe, reaguan ndaj deklaratave të djeshme të punonjësit në Komunë, Nuri Nusri për televizionin Alsat. Aziz Avdiu akuzoi punonjësin e Komunës Nuri Nusri se për katër vite, si i punësuar në këtë komunë, asnjëherë nuk ka ngritur zërin kundër anashkalimit të gjuhës shqipe, ndërsa javën e kaluar ka penguar edhe këshilltarin e tretë të BDI-së, Bejtulla Kokën që të braktisë mbledhjen në shenjë proteste.

"Për hir të së vërtetës dhe opinionit publik, personi në fjalë, i punësuari shqipfolës në Komunën e Çuçer Sandevës, katër vite punon në të njëjtën Komunë dhe asnjëherë nuk ka marrë iniciativë për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht Ligjin për gjuhën shqipe. Përkundrazi, bashkë me Enver Amatin urdhëruan këshilltarin e Bllacës që të mos na bashkëngjitet neve dhe të del kundër gjuhës shqipe", deklaroi Aziz Avdiu, këshilltar i BDI-së në Çuçer Sandevë.

Avdiu deklaroi se braktisja e mbledhjes së këshillit në shenjë proteste për anashkalimin e gjuhës shqipe, ka qenë hap i koordinuar me strukturën e BDI-së në Shkup, duke hedhur poshtë akuzat e djeshme se kanë punuar kokë më vete.

"Ne paraprakisht jemi konsultuar me hierarkinë e BDI-së, duke filluar nga kryetari i nëndegës, kryetari i BDI-së në Shkup, dhe konsultuam edhe ministrin e vetëqeverisjes lokale. Ne këto hapa nuk i kemi bërë kokë më vete. Pasi e morëm mandatin hasëm në parregullsi të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Për ne gjuha shqipe është e shenjtë dhe do ta respektojmë. Do ti shkojmë kësaj pune deri në fund, pavarësisht se a na përkrah këshilltari nga Bllaca", tha Aziz Avdiu, këshilltar i BDI-së në Çuçer Sandevë.

Edhe pse e banuar me mbi 27% qytetarë shqiptarë, Komuna e Çuçer Sandevës edhe në këtë mandat, ashtu si edhe në të kaluarin, vazhdon të shkelë Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke anashkaluar përdorimin e gjuhës shqipe. Benjamin Arifi

Recommended