Autoritetet maqedonase nuk komentojnë arrestimin e Miodrag Jeremiqit, autorit të 30 përmendoreve në kuadër të projektit 'Shkupi 2014'. Asnjë funksionar qeveritar, madje as kryetari opozitar i Komunës Qendër nuk ka dashur të komentojnë ndonjë lidhje të mundshme mes aferës 'Galenika' në Serbi për të cilën është arrestuar Jeremiq, dhe projektit 'Shkupi 2014'. Andrej Zhernovski thotë se të gjitha detajet rreth projektit 'Shkupi 2014' do të dihen vetëm pasi të përfundojë punën Komisioni për revizionin e këtij projekti.
"Ai skandal korrupsioni po lëkund një shtet tjetër, jo Maqedoninë. Për këtë shkak, nuk do të doja ta komentoja, sidomos në këtë fazë të ndjeshme. Por, gjithçka që ka të bëjë me projektin 'Shkupi 2014', informatat mund t'i merrni nga Komisioni që është formuar dhe tashmë ka nisur punën", tha Andrej Zhernovski, kryetar i komunës Qendër.
As kryetarja e Komisionit për revizionin e projektit 'Shkupi 2014' nuk ka dashur të paragjykojë për shpërdorime të mundshme financiare, para përfundimit të revizionit. Miodrag Jeremiq është pronar i kompanisë 'Livnica Jeremiq' për derdhjen e skulpturave në bronz dhe materiale të tjera. Ai është një ndër 8 të arrestuarit e aksionit policorë serb në lidhje me aferën 'Galenika'. Të arrestuarit dyshohen për përfitim të paligjshëm të 12 milion eurove, përmes fryrjes së çmimit të skulpturave të punuara nga kompania e tij. Pikërisht këtu u derdhën edhe 30 skulptura të projektit 'Shkupi 2014'. Kompania kontroverse 'Livnica Jeremiq' fitoi tenderin ndërkombëtar për derdhjen e skulpturave për projektin 'Shkupi 2014', duke mundur në këtë garë, firmat konkurrente italiane dhe kroate. Benjamin Arifi
Comments