Komisioni anti-korrupsion shpalosi para anëtarëve të Komisionit për Sistem Politik raportin e punës së tij të vitit 2012. Korrupsioni më i theksuar gjatë vitit të kaluar, është shfaqur gjatë realizimit të punëve me karakter publik; konkretisht 142 çështje, 121 në kompetencat publike, gjyqësori në 71 lëndë, politika në 24 dhe 44 çështje në fusha të tjera.
"Puna praktike e Komisionit shtetëror në raste konkrete të korrupsionit, dëshmoi se më së shumti korrupsioni është i pranishëm përmes keqpërdorimit të kompetencave dhe detyrës zyrtare. Gjatë vitit 2012 Komisioni anti-korrupsion ka punuar rreth 611 çështje, ndërsa procedurat kanë përfunduar ndaj 402 çështjeve", tha Gjorgji Sllamkov, kryetar i Komisionit antikorrupsion.
Ndërkohë, deputetët paraqitën vërejtjet e tyre sa i përket transparencës së punës së këtij komisioni dhe kërkuan që në të ardhmen, të realizohen takime të rregullta me mediat. Ndërkaq, si fushë ku korrupsioni është më i theksuar dhe duhet luftuar - sipas tyre - është arsimi.
"Maqedonia ishte lidere, tregoi edhe gatishmëri, por tregoi edhe miratoi një ligj, tregoi vullnet politik për luftë serioze kundër korrupsionit. Pas 13 vitesh funksionim të këtij komisioni, unë vërejtjet kryesore i kam se ky komision nuk është sa duhet transparent. Sidomos kohëve të fundit mendoj se ka qenë shumë i mbyllur", deklaroi Suzana Salihu, deputete e BDI-së.
"Ti përkushtoheni korrupsionit në fushën e arsimit të lartë. Sepse tek ne vijnë shumë ankesa nga studentët të cilët nuk mund të kalojnë provimet nëse nuk paguajnë një shumë të caktuar për libër tek ndonjë profesor, dhe kjo, në të shumtën e rasteve kushton mbi 1 mijë denarë për një skript apo libër", tha Sillvana Boneva, deputete e VMRO-DPMNE-së.
"Unë kam shembull konkret, kur një studente është kërcënuar jo me të holla por me ngacmim seksual. Kjo jo që paraqet krim por vërtet, ja edhe tani po revoltohem se çfarë janë të gatshëm njerëz të tillë, të cilët jo vetëm që duhen dënuar por përgjithmonë duhet t'u merret licenca e punës", u shpreh Dragisha Miletiq, deputet serb.
Gjatë seancës munguan deputetët e dy partive më të mëdha opozitare, LSDM-së dhe PDSH-së. Bedri Rexhallari
Comments