Operatorët celularë do të marrin të hënën paralajmërime nga Agjencia për komunikime elektronike për cilësinë e rrjetit dhe shërbimeve që ua ofrojnë shfrytëzuesve. Paralajmërim do të marrin të gjithë ata që nuk i përmbushin kushtet minimale për cilësi, e nëse nuk korrigjohen, do të vijojnë gjoba. Në mënyrë plotësuese në Ligjin e ri për komunikime elektronike i cili është duke u hartuar do të vendosen edhe gjoba të reja detyruese për operatorët.
"Kemi 30-të procese gjyqësore në këtë moment dhe do të shohim se si do t'i zgjidhin gjykatat. Nëse gjykata vlerëson se kemi të drejtë, do t'i arkëtojmë gjobat. Të gjitha proceset gjyqësore që i ngritëm që kur vendosëm të jemi maksimalisht rigorozë janë në rrjedhë, ndërsa procedurat kanë filluar prej vitit të kaluar në tremujorin e tretë, kur i ndryshuam të gjitha rregulloret dhe për këtë arsye unë në çdo takim me operatorët u them se do të bëhemi gjithnjë e më rigorozë, që të vlerësojnë se sa u shpaguhet mosrespektimi i rregulloreve", tha Robert Ordanovski, AKE.
Ordanovski shprehet se ulja e çmimeve për roaming do të duhej të funksionojë në nivel rajonal edhe atë për momentin përmes marrëveshjes trelaterale ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Për këtë do të bisedohet në korrik në Shkup. Drejtori i AKE-së informoi edhe se 20 mijë eurot që të punësuarit i shpenzuan për ahengun e Vitit të Ri, tashmë kanë filluar t'i kthejnë përmes heqjes nga pagat. Sipas Ordanovskit, deri tani vetëm ai në arkën e ndërmarrjes ka kthyer 3 mijë euro. Natasha Stojanovska
Comments