'Digjitalizimi', pranohen kërkesat e mediave nacionale

  • 9 years ago
Nën presionin e opinionit, zyrtarizohet vendimi i ministrisë së shoqërisë informatike për uljen e çmimeve me të cilat televizionet do të transmetojnë sinjal digjital. Operatori celular ONE uli çmimet për 36 për qind, ashtu siç premtoi ministria e shoqërisë informatike që është përgjegjëse për realizimin e këtij procesi. Ulja erdhi pas një sërë paralajmërimesh nga televizionet për refuzim. Më në fund, ministri Ivo Ivanovski pranoi çmimet që për 1 vit, televizionet kombëtare t'i paguajnë operatorit ONE, diku rreth 100 mijë euro, ndërsa ato rajonale, rreth 13 mijë euro.

"Ne morëm pjesë në tenderin ku ofruam çmime dhe kushte teknike për shërbimin tonë, por tani, me kërkesë të ministrit Ivo Ivanovski, me kërkesë të televizioneve, vendosëm t'i ulim çmimet dhe të ndihmojmë procesin e digjitalizimit. Ky çmim është problematik për ne, sidomos për mua që drejtoj këtë proces. Por, ne morëm dritën jeshilë nga Lubjana dhe nuk e shikojmë procesin si punë komerciale por do të përpiqemi të realizojmë digjitalizimin. Po, është problematike por ne... do shikojmë të përshtatim disa kushte teknike, në mënyrë që nga ky proces të dalë me më pak dhimbje", tha Ciril Kafol, ONE.

Ndryshimet e ligjit për radiodifuzion, sipas të cilave nga 1 qershori diktojnë digjitalizim të televizioneve, me siguri do të gjenden nesër në komisionin parlamentar amë të transportit dhe lidhjeve, dhe më pas, do të diskutohet në seancë plenare. Ndërkohë, mbeten ende të rregullohen disa detaje teknike rreth digjitalizimit, për të cilët pritet që palët e përfshira në këtë proces, të ulen në bisedime. Natasha Stojanovska

Recommended