Zaev nuk tërhiqet, apelon për unitet

  • 9 years ago
Zoran Zaev mbetet në garë për kryetar të ri të partisë opozitare maqedonase LSDM. Një vendim i tillë i Zaevit ka ardhur pas takimit me përkrahësen e tij më të afërt Radmilla Sheqerinska. Zaev kishte paralajmëruar tërheqje nga gara për kryetar të LSDM-së për shkak të ndarjeve të brendshme në parti dhe përçarjeve të cilat i ka shkaktuar procesi i zgjedhjes së liderit të ri. Pas rikthimit në garë, Zaev ka apeluar për unitet dhe bashkim në parti. Përveç Zaevit, kandidaturat e tyre i kanë konfirmuar edhe Zoran Jovanovski, Igor Ivanovski, Kire Naumov dhe Tanja Tomiq. Situatën në LSDM Branko Cërvenkovski po e përcjell i heshtur. Ai akoma nuk ka komentuar përçarjet në parti, e as nominimet nga 15 këshilla komunale dhe mbledhjen e mbi 10.000 firmave për mbetjen e tij në krye të partisë. Nga media të ndryshme maqedonase përsëritet teza se Branko Cërvenkovski mund të mbetet në krye të LSDM-së, në emër të insistimit të anëtarësisë. Një gjë të tillë e paralajmëroi edhe ish lideri i LSDM-së dhe ish kryeministri Vllado Buçkovski, në emisionin "Rruga Drejtë..." në Alsat.

"Mbledhja e nënshkrimeve, vetëm Cërvenkovski kandidat në 15 këshilla komunale, kjo lë një mllef te unë se manipulohet dhe shumëkush fshihet pas anëtarësisë, ndërsa anëtarësia dëshiron LSDM-ja përsëri të jetë parti e fortë. Në këtë mënyrë kur askush nuk pyet anëtarësinë, por, delegatët të cilët nuk janë të njohur as për anëtarësinë e cila duhet të bart qëndrimet në bazën e cila vendos më 2 qershor, është e mundur që ky kongres i LSDM-së të jetë shkak për ndarje të reja dhe të fusë LSDM-në në krizë edhe më të rëndë", ka thënë Vllado Buçkovski, ish kryetar i LSDM-së.

Gjatë ditës së sotme askush nga LSDM nuk ka komentuar rrjedhën e procesit të kandidimit. Pritet që kandidaturat për kryetar të partisë të përfundohen dhe të shpallen para opinionit më 15 maj. Benjamin Arifi

Recommended