EKSKLUZIVEI zoti i shtëpisë ku u kap Avdillari flet për A1Report!

  • 9 years ago
TIRANË - Kapet anëtari i bandës së Yzberishtit, Ilir Avdillari, i arratisur nga burgu, pasi mori një javë leje. Sipas burimeve të "A1 Report", Ilir Avdillari u kap sot herët në mëngjes në afërsi të Rrogozhinës, në shoqëri të nipit të tij 10 vjeç pikërisht në shtëpinë e një të panjohuri, një anëtari të komunitetit rom, Ahmet Aliu, 50 vjeç. "I dehur", me nipin e vogël "të uritur" dhe që e "zinte gjumi në këmbë", Avdillari ka trokitur në shtëpinë e një të panjohuri për t'i kërkuar ndihmë.

Por policia kishte zbuluar më parë lëvizjet dhe vendin se ku po fshihej së fundi 42-vjeçari, anëtari famëkeq i bandës së Yzberishtit në vitet '97-'98 në Tiranë, i cili ishte dënuar me 22 vjet burg, por të cilit i kishin mbetur ende edhe 3 vjet e 4 muaj për të shlyer. Avdillarit i ishte dhënë një leje prej 7 ditësh, por ai nuk është kthyer në burg pas skadimit të afatit. I arratisuri ishte shpallur në kërkim nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit. Prej dy ditësh ai duhej të ishte kthyer në burg, por megjithatë është arritur të kapet në një kohë të shkurtër.

I ZOTI I SHTËPISË: NUK E NJIHJA ME PARË, ISHTE ARIXHI SI UNË

"A1 Report" ka intervistuar direkt në linjë telefonike të zotin e shtëpisë, Ahmet Aliu. Ai ka shpjeguar hapur detaje të hollësishme mbi ngjarjen, duke dëshmuar se ka qenë ora 9 e gjysmë o 10 pa një çerek e mbrëmjes, kur fillimisht një djalë i vogël, rreth 10 vjeç, i ka trokitur në derë dhe i ka kërkuar bukë dhe strehë për një natë.

"Dua bukë" - më tha i vogli - Unë futa të voglin. Pas të voglit erdhi edhe i madhi, daja a xhaja, ku ta di unë kush ishte. "Ishte në gjendje të dehur në shoqërinë e nipit, një fëmije. Ai nuk më tregoi se kush ishte, thjesht më kërkoi ndihmë dhe një strehë, pasi, siç më thanë, "kishin mbetur rrugës". Më bëri përshtypje një njeri në atë gjendje, më erdhi keq dhe u hapa derën. I futa në korridor, duke bërë muhabet. U nxora një kafe. U bëra dy kokrra vezë. Çunin e zinte gjumi në këmbë. E vumë në gjumë. "I madhi ndenji dhe pak me mua", ka rrëfyer Aliu.

Pyetjes së gazetares së A1 Report se "ndërkohë a patët dyshime", Aliu iu përgjigj: E pyeta nga je. Më tha: "Jam nga Tirana". Më pyeti, a e njeh filanin? Patëm të njohur, e pastaj arixhi ai arixhi unë, domthënë kurbat, nga komuniteti rom dhe kështu ia hapa derën", ak thënë Aliu. Por vajti ora 11 dhe në shtëpinë e Aliut mbërriti policia. "Djali i vogël ishte në gjumë kur erdhi policia. "Kur më hyri policia në shtëpi u çmenda, thashë çfarë ka ndodhur, po më vrasin në shtëpi, s'dija asgjë", shtoi Aliu, duke shtuar se "policinë e kam ende në shtëpi".
(ad.ti/shqiptarja.com)

Recommended