Orav nuk komenton ofensivën diplomatike të BDI-së

  • 9 years ago
Ambasadori Evropian në Shkup, Aivo Orav nuk deshi të komentojë ofensivën diplomatike të BDI-së për përshpejtimin e procesit të euro integrues, por as mungesën e aktiviteteve në këtë drejtim të kryeministrit Nikolla Gruevski, gjegjësisht partisë së tij VMRO-DPMNE-së. Megjithatë Ambasadori Evropian rikujtoi se raporti i fundit pranveror i KE-së për Maqedoninë ishte pozitiv, por kanë mbetur edhe disa obligime që duhet ti kryejnë partitë. Ai këto koment i bëri pasi me Zëvendëskryeministrin Fatmir Besimi promovuan një iniciativë "Të rinjtë për Evropën"

"Mendojë se nuk më përket mua që të komentojë vlerësimet tuaja, ju duhet të lëvizni drejt integrimit në BE pasi ne shpresojmë shumë se vendi juaj do ta bëjë këtë në mënyrë aktive dhe të përkryer. Raporti i fundit pranveror i KE-së për vendin tuaj ishte tejet pozitiv por duhet ende të punohet dhe të tejkalohen vërejtjet me qëllim që të gjitha ato sfida që iu adresuan vendit tuaj të tejkalohen sa më shpejt që është e mundur. Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, që sa po mu kujtua është marrëveshja e 1 marsit, shumë gjëra u realizuan, opozita u kthye në kuvend, mori pjesë në zgjedhjet lokale, kryesuesit e Këshillit Kombëtar për integrim në BE, bënë thirrje për një takim ku do të diskutohet dialog i nivelit të lartë, por këtu nuk është formuar ende Komisioni Anketues dhe nuk është firmosur memorandumi për mirëkuptim", tha Aivo Orav, ambasador i BE-së në Shkup.

Ndërkohë, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi nesër do të takohet me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopulos. Ky takim ka nxitur komente të ndryshme në Athinë dhe Shkup, pikërisht për shkak të kontestit të emrit dhe nivelit të zhvillimit të tij midis një ministri shqiptar në kabinetin qeveritar të Maqedonisë dhe ministrit grek. Gazeta greke "To Vima" ka komentuar takimin e nesërm, duke nënvizuar se përmes këtij takimi Athina po kërkon bashkëbisedues të rinj për zgjidhjen e kontestit të emrit. E përditshmja athinase shkruan mes të tjerash se zv/kryeministri Besimi vjen nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, dhe se konsiderohet si politikan i matur, me të cilin Avramopulos veç ka realizuar një takim në kohën kur që të dy kanë qenë ministra të Mbrojtjes. Valmir Kuçi

Recommended