Familja Pajaziti rrezikon të mbetet në rrugë

  • 9 years ago
Ndërsa fëmijët e tjerë flenë në ndonjë krevat të bukur dhe komod, Anela 10 muajshe nga Shkupi nuk e ka një fat të tillë. Ajo bën gjumë në këtë djep që në të njëjtën kohë është edhe krevat por edhe shtrat për të pushuar. Gjendja e rëndë ekonomike në familjen Pajaziti nga lagja e Dizhonit ka bërë që katër anëtarët e familjes çdo ditë të jetës së tyre ta kalojnë vështirësi dhe në të shumtën e rasteve edhe me mungesë të ushqimit si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Këtë e dëshmojnë edhe lotët e zonjës Afërdita Pajaziti e cila rrëfen për mjerimin në këtë familje.

"E kam harru veten, të kallxoj drejt oj motër se fëmijët më dhimben më tepër...ndodhë që lypin, ai po sheh tu hëngër çokollata ose diçka, lyp, thotë oj nënë..i them nuk ka, prit, prit edhe mashtrohet...Ato duhet me ua sigurua, qumështin edhe lëngun se nuk flejnë, çika nuk fle pa pi qumësht, edhe mos me ushqye qumështi e ngin sadopak. Djali i ka dy vjet e gjysmë, çika i ka 10 muaj...Po normal, duan edhe ai është më i madh, tash po di, po lyp, edhe kjo do, do qumësht, i do ato të vetat....Prej socialit çka të mbese, kur ta thirrin burrin me punu, si me zor valla, me zor", tha Afërdita Pajaziti.

Dhoma ku jetojnë anëtarët e familjes Pajaziti nuk e tyre, ata jetojnë me qira dhe për çdo muaj duhet të paguajnë 70 euro. Kryefamiljari Bashkim Pajaziti thotë se ka qenë i detyruar të dal me qira për shkak se në banesën e prindërve të tij nuk ka vend për tre vëllezër me familje. Bashkimi bën apel për ndihmë por ai shpreh edhe gatishmërinë për të punuar çdo punë që do ti ofrohet.

"Çfarëdo pune me pas unë e punoj, ama sivjet ma shumë pa punë, tjera vjet kam pas punu ma shumë..Me dy fëmijë vallahi nuk po del në qosh hiç, të ishin kanë fëmijët pak më të mëdhenj nuk e kisha pas gajle, çka kishim hëngër ne kishin hëngër edhe fëmija, ama këta të vegjël nuk po e din. Ky kur po i sheh fëmijët nëpër rrugë me çokollata, me akullore po vjen edhe po thotë babi pare, unë ku me mar me i dhanë, nuk po kam, ky po qan, duhet me mar me çu diku me largu prej fëmijëve që të mashtrohet, tja humbi at mendjen që mos të lype. Nuk po del prej askun, shumë zor, shumë", u shpreh Bashkim Pajaziti, kryefamiljar.

Afërdita është 32 vjeçe, ndonëse e martuar dhe me dy fëmijë ajo ëndërron për një jetë më të mirë, veçanërisht për fëmijët e saj. Dëshira e vetme që shpalosi para kamerës sonë është që fëmijëve t'u sigurojë një dhomë.
"Valla për nji shtëpi ma tepër kam nevojë se me qira shumë vështirë e shumë keq, ta di bile që e kam shtëpinë time e për tjerat ma ndryshe është", tha Afërdita Pajaziti.

Ashtu siç e takuam, ashtu dhe lamë Anelën e vogël,pa veshmbathje të duhur dhe me mungesë të shumë gjërave që janë të nevojshme për një fëmijë. Përveçqë që luante me jastëkun e djepit Anela e vogël nuk kishte as edhe një lodër tjetër. U larguam duke e lënë në mjerim dhe varfëri këtë familje,por me shpresë se njerëzit human do të zgjasin dorën edhe për këta persona, nëse jo më shumë, të paktën për të gëzuar këta dz fëmijë të vegjël...

Recommended