Shqipëria përkujtoi "Ditën e Dëshmorëve"

  • 9 years ago
Shqipëria përkujtoi sot 5 Majin, "Ditën e Dëshmorëve". Krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare nderuan me respekt dhe përulje dëshmorët që ranë për atdheun. Ashtu sikurse çdo vit, mazhoranca dhe opozita, zhvilluan homazhe të ndara në "Varrezat e Dëshmorëve", duke vendosur kurora me lule në memorialin "Nënë Shqipëri". Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha me këtë rast tha se sot është dita e përuljes para të rënëve të kombit, të cilëve u detyrohemi lirinë.

"Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para atyre vajzave e djemve, burrave dhe grave që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t'i nderojnë ata në liri. Nder përjetë atyre, familjeve të tyre që sot nuk kanë më të dashurit, por kanë emrin e mirë që ata lanë për veprën e pavdekshme që realizuan", tha Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama tha se idealet e dëshmorëve janë sot të tradhtuara nga ata që drejtojnë shtetin. Duke e kthyer vëmendjen tek zgjedhjet, Rama u shpreh i bindur se e majta do të sigurojë një fitore me 23 qershor.


"Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhtuara nga ata që sot e sundojnë Shqipërinë, si shëmbëlltyra të një tradhtie të dyfishtë. Të tradhtisë së ëndrrave dhe shpresave që i vendosen shqiptarët krah për krah me të gjitha forcat e botës kundër murtajës naziste dhe idealeve dhe shpresave të tradhtuara të atyre që i nxorën shqiptarët në rrugë në vitet '90 ", deklaroi Edi Rama, kryetar i PS-së.

Kryetari i LSI-së Ilir Meta theksoi se 5 maji, përveç kujtimin dhe nderimit të dëshmorëve, duhet të konsiderohet si një ditë frymëzimi për të ardhmen.


"Unë besojë se 5 Maji është jo vetëm një ditë shumë e rëndësishme kujtese dhe nderimi por edhe frymëzimi për të ardhmen dhe jam i bindur se edhe 23 qershori që kemi përpara do të japi një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve", tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.

Në çdo 5 Maj, Shqipëria përkujton 28 mijë dëshmorët e saj të rënë në Luftën Nacional Çlirimtare. Dëshmorët ranë gjatë Luftës së Dytë Botërore 1939-1945. Valmir Kuçi

Recommended