TIRANE - "Shkëlqimi i ekonomisë ekziston vetëm në fjalimet euforike të kryeministrit aktual. Ndërkohë që, borxhet e qeverisë ndaj biznesit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme". Kështu ka deklaruar sot nga Kombinati, kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke iu kundërvënë ish-aleatit të tij, Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë prezantimit të kandidatit të LSI-së për deputet në Kombinat, Ardit Çelës, Meta ka trajtuar gjerësisht problemet e mëdha ekonomike që po kalon vendi, duke filluar nga bizneset e përfunduar tek qytetarët.
Meta tha: "Shkëlqimi i ekonomisë ekziston vetëm në fjalimet euforike të kryeministrit aktual. Ndërkohë që, borxhet e qeverisë ndaj biznesit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Rreth 300 milionë dollarë punë publike të kompanive të ndryshme që nuk janë paguar nga qeveria, ndërkohë që kompanitë paguajnë interesa nëpër banka dhe rritet numri i kredive të këqija.
Rreth 200 milionë euro borxh i qeverisë si mungesë rimbursimi për TVSH-në për bizneset dhe të gjitha këto rëndojnë mbi qytetarët, rëndojnë mbi konsumatorët, godasin fuqinë blerëse, tkurrin investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Prandaj duhet një ndryshim që të mos flasim për ekonominë virtuale por të flasim për ekonominë reale, për atë që ndjen çdo shqiptar dhe çdo qytetar i Kombinatit sot në familjen e tij. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dje dha alarmin në emër të gjithë bizneseve për këtë krizë në të cilën ndodhet biznesi dhe kompanitë vendase, të imponuar nga sjellja e papërgjegjshme e qeverisë.
Jo vetëm kaq, por edhe nga dëshira për të manipuluar këtë të vërtetë dhe për t'iu shmangur dialogut me këtë komunitet për të zgjidhur këto probleme shumë të mëdha, këto borxhe shumë të mëdha që rrezikojnë të degradojnë më tej situatën ekonomike në vend. Ndaj është koha për një ndryshim dhe për një rotacion", - theksoi ai.