Bashkia e Memaliajt pa energji nuk publikon dot listat e zgjedhësve

  • 9 years ago
Listat e zgjedhësve në Bashkinë e Memaliajt, ende nuk janë hartuar, në një kohë kur afatet e publikimit të tyre, janë në limite. Shkak është bërë mungesa e energjisë elektrike në zyrën e Gjendjes Civile, e cila ndodhet në godinën e bashkisë.

Nënkryetari i Bashkisë së Memaliaj, Behari Lula, shprehet për A1 Report, se nuk është punuar fare në këtë drejtim që është detyrim ligjor, për shkak të mungesës së rrymës elektrike. Korrigjimi i listave të zgjedhësve nga dublimet dhe ndërhyrja në sistem është e domosdoshme duke plotësuar këtë kapitull që është mjaft i rëndësishëm. Mirëpo sipas Lulas, mungesa e korrentit, po vështirëson këtë proces për heqjen e dublimeve të shumta që ka në lista dhe kësisoj, minon hartimin e listave zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit.

Rreth 70 milionë lek fatura të papaguara kundrejt CEZ-Shpërndarja janë shkaku i penalizimit të Bashkisë së Memaliaj e cila prej disa ditësh vuan mungësen e energjisë elektrike. Përvec paralizimit total të aktivitetit të përditshëm në këtë institucion, në qytet, mungon edhe ndricimi publik nëpër rrugët e tij.

Errësira totale është e dukshme në cdo cep të qytetit, edhe pse për ironi të fatit në shumë rrugë janë ndërmarrë investime për ndricimin publik, por borxhi ndaj CEZ, i ka lënë në errësirë. Nënkryetari Lula, konfirmon se 70 % e borxhit, është i mbartur nga administrata e mëparshme bashkiake e cila drejtohej nga demokratët dhe një shumë e tillë është e papërballueshme nga buxheti i bashkisë.

Nga ana e vet, CEZ-Shpërndarja, ka qenë kategorik për mos-rikthimin e rrymës elektrike në bashki, pa derdhur detyrimet e prapambetura bashkia.

Recommended