Hoxha: Nuk pritet rikonstruim i Qeverisë

  • 9 years ago
Nuk do të ketë rekonstruim të Qeverisë, të paktën deri në shtator. Kryeministri Gruevski dhe partneri shqiptar i koalicionit Ahmeti janë të kënaqur me punën e ministrave të tyre. Ndryshime nuk planifikohen as në eshalonin e dytë. Me përjashtim të një ndryshimi të vogël që u bë në seancën e fundit të qeverisë ku në Agjencinë për menaxhimin e pronës së konfiskuar për drejtor u emërua Bashkim Ameti, i cili deri tani ishte shef i kabinetit të ministrit të drejtësisë Blerim Bexheti. Ameti në këtë drejtori zëvendëson Ejup Rustemin, shkarkimi i të cilit është bërë me vetë dëshirë.

"Jo nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në kabinetin apo në udhëheqësit e Institucioneve qeveritare, institucioneve të sistemit. Në seancën e fundit kishim vetëm një emërim, emëruam Drejtorin e ri në Agjencionin për menaxhim me mallrat e konfiskuara dhe tani për tani nuk priten ndryshime të mëdha, as në eshalonin e dytë, e as në të tretin. BDI-ja përcjellë, apo ndjek punën e gjithë funksionarëve të saj dhe tani për tani, përsëris nuk do të ketë ndonjë ndryshim", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritarë ndodhën në prag të zgjedhjeve të fundit lokale dhe përfshinë pikërisht funksionarët shqiptarë , kjo si rezultat i përfshirjes së disa ministrave në garë për kryetar komunash. Bëhet fjalë për Tetuta Arifin e cila u zëvendësua nga Fatmir Besimi, Nevzat Bejta nga Tahir Hani. Në vend të Besimit u emërua Talat Xhaferi, derisa në vend të Tahir Hanit në postin e zv ministrit për transport dhe lidhje u emërua Xhelal Bajrami, derisa postin e zv ministrit të punëve të brendshme e mori Zemri Qamili. Bedri Rexhallari

Recommended