Diskriminimi etnik, pa mbrojtje ligjore

  • 9 years ago
Bashkësitë etnike në Maqedoni vazhdojnë të ndihen të diskriminuara si në procesin e punësimit, përfitimit të të drejtave të sigurisë sociale por edhe në sfera të tjera të parashikuara me Ligjin për Parandalimin të diskriminimit. Këto të dhëna u shpalosën sot gjatë prezantimit të raportit vjetor të Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Dushko Minovski, bashkësia etnike rome është më e diskriminuara në vend. Shpeshherë, romëve në mënyrën më banale nuk u lejohet të ulen dhe konsumojnë ushqim nëpër restorante, e deri edhe tek ndalesa për hyrje në pishina.

"Për fat të keq kjo bashkësi etnike ballafaqohet vërtet me probleme nga më të ndryshmet, probleme banale siç janë ndalimi i hyrjes në restorante, nuk u lejohet hyrja nëpër pishinat e vendit d.m.th bëhet fjalë për sjellje nga më nënçmueset ndaj komunitetit romë nga individë të caktuar", deklaroi Dushko Minovski -- kryetar i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi.

Ndërkohë anëtarja e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi Lençe Kocevska tha se numri i ankesave të dorëzuara gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje në krahasim me 1 vit më parë.

"Numri më i madh i ankesave nga gjithsej 75 që janë dorëzuar... 16 prej tyre janë dhënë në bazë të diskriminimit etnik. Më të prekurit janë romët me 10 ankesa, 4 ka nga përfaqësuesit e bashkësisë etnike shqiptare dhe 2 nga maqedonasit. Pason numri i ankesave të dorëzuara nën dyshimin se qytetarët janë diskriminuar në sferën e shëndetësisë, me 12 ankesa, pastaj përfaqësuesit e grupeve të margjinalizuara kanë lëshuar 11 ankesa tek Komisioni ynë, më pas personat me pengesa psikike 9 ankesa, e kështu me radhë", tha Lençe Kocevska -- anëtare e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi.

Ndërkohë, OJQ-ja 'Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi' e ka quajtur raportin e lartpërmendur si jo edukativ. Sipas tyre, ai nuk konfirmon llojet e diskriminimit gjatë vitit 2012 dhe nuk zbardh arsyet, se përse ankesat kanë të bëjnë kryesisht me diskriminimin në baza etnike. Nga gjithsej 75 ankesat e dorëzuara tek Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi gjatë vitit 2012, vetëm për një nga këto raste është ngritur procedurë gjyqësore, në qytetin e Shtipit. Valmir Kuçi

Recommended