BDI distancohet nga fushata anti-amerikane e VMRO-së

  • 9 years ago
BDI-ja distancohet nga fushata anti-amerikane e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja dhe mediat e afërta me të. Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja theksoi se qëndrimet e tilla nuk janë qëndrime të qeverisë në të cilën bën pjesë edhe BDI-ja, por vetëm të VMRO DPMNE-së.

"Ne shprehim keqardhje për retorikën e partnerit tonë të koalicionit, mirëpo në të njëjtën kohë potencojmë se kjo retorikë nuk është retorikë e qeverisë, por e njërit partner në qeverisje, pa çka se është partneri më i madh. BDI asnjëherë nuk ka ndarë dhe nuk ndan vlerësime të tilla", tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së.

Fushata e tillë e funksionarëve të VMRO DPMNE-së dhe mediave pro-qeveritare filloi sidomos pas publikimit të Raportit kritik të Departamentit të Shtetit Amerikan. Gjuha e tillë jo-diplomatike në këtë raport, që sipas analistëve është më kritiku pas vitit 2008, sipas Mehmetit duhet të merret si sugjerim qëllimmirë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së lirive dhe të drejtave në Maqedoni. Ajo vlerëson se qasja serioze ndaj raportit duhet të tregohet me rihapjen e dialogut me përfaqësuesit e mediave për ligjin kontrovers që është në përgatitje.

"Mendoj se ky raport përmban një sërë sugjerimesh për atë se çfarë dhe si duhet të bëjë qeveria në mënyrë që të përmirësojë cilësinë e qeverisjes dhe demokracisë në vend. Një start i mirë do të kishte qenë një rishikim i pozicioneve që ka Qeveria në raport me ligjin kontrovers për mediat", deklaroi Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së.

Ndërkohë, vetëm pak kohë pas kolumnës së liderit të BDI-së Ali Ahmeti e cila rezultoi me kundërthënie mes partnerëve të koalicionit përsa i përket çështjes së emrit, një delegacion i BDI-së i udhëhequr nga kryetari Ahmeti do të udhëtojë drejt SHBA-së.

"Gjatë vizitës së fundit të zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Filip Riker në Shkup, në takim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti u diskutua mundësia e vizitës të kryetarit tonë në SHBA. Andaj ju njoftoj që me 4 maj kryetari Ali Ahmeti do të udhëtojë në vizitë zyrtare të SHBA-ve. Temat akoma nuk janë përcaktuar, por besoj se aktualitet politike në Maqedoni dhe rajon do të jenë në interes të dy palëve në këto takime që do ti mbajmë", tha Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së.

Pjesë e delegacionit zyrtar do të jenë Ali Ahmeti, Musa Xhaferri dhe Artan Grubi, të cilën do të vizitojnë Departamentin e Shtetit, Pentagonin dhe Kongresin. Delegacioni i BDI-së paralajmëron takim të mundshëm edhe me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit Metju Nimic. Bashkë me delegacionin zyrtar, në SHBA do të udhëtojnë edhe Izet Mexhiti dhe Fatmir Dehari të cilët do të marrin pjesë në një manifestim me mërgimtarë shqiptarë në Çikago. Benjamin Arifi

Recommended