Një burrë është nxjerrë i gjallë në mesditë nga gërmadhat e ndërtesës së shembur në Bangladesh, tragjedi kjo që tronditi gjithë vendin, me një bilanc prej 363 viktimash deri tani. Sot është dita e katërt e tragjedisë, ndërkohë që edhe mbrëmë, 3 persona të tjerë u nxorën të gjallë, duke pasuar kërkimet e suksesshme të djeshme, me 29 të mbijetuar. Megjithatë, shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë sot, janë shuar pasi ekipet e shpëtimit nuk mund të hyjnë dot më thellë. Sipas tyre, pllakat e betonit të shembura nuk kanë lënë xhepa hapësire, që mes tyre të gjendet ndonjë i mbijetuar tjetër, apo qoftë për të marrë trupat e pajetë. Rreth 900 persona të tjerë rezultojnë ende të humbur sipas listës që kanë paraqitur autoritetet. Kompleksi gjigant që shërbente si fabrikë, shënon kështu një nga tragjeditë më të rënda në këtë vend, madje nëse krahasohet shifra e viktimave, një bilanc i tillë është i denjë si të kishte ndodhur tërmet. 2500 persona ishin shpëtuar gjatë shembjes në ndërtesë, ditën e parë të saj. Sipas autoriteteve, më shumë se 3000 njerëz, shumica e të cilave gra, dërgoheshin çdo mëngjes të punonin në këtë kompleks fabrike, e cila ishte e pasigurt, që nga themelet, materiali ndërtimor, e deri edhe 3 katet e sipërme të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Sot, pronari i ndërtesës 8 katëshe u vu nën pranga gjatë tentativës për të lënë vendin, drejt Indisë. Mohamed Sohel Rana u kthye në kryeqytetin Daka me helikopter. Lajmi u dha edhe në vendin e kompleksit të rrënuar, ku gjendeshin shumë njerëz, në pritje të kërkimeve për viktimat. Arrestimi i pronarit të ndërtesës u prit me duartrokitje dhe fishkëllima. Edhe gruaja e tij është ndaluar, por burri i saj, që nga incidenti kishte qëndruar në arrati dhe i fshehur. Gyltene Rexhallari
Comments