Garë e ashpër brenda LSDM-së për fronin e Cërvenkovskit. Deri tani katër emra po qarkullojnë në opinion, dy nënkryetarë, një deputet dhe një ish funksionar i LSDM-së, në kohën kur kjo parti ka qenë në pushtet. Zoran Zaev ka konfirmuar tashmë kandidaturën e tij dhe mbështetjen e Sheqerinskës. Jovanovski i futet garës me mbështetjen e Gordan Georgievit dhe Ana Pavllova Danevës, ndërsa nga jashtë, kandidaturën e ka paralajmëruar edhe Kire Naumov. Dje, në mënyrë spontane para selisë së LSDM-së u mblodhën një numër simpatizantësh të figurës ikonike të Cërvenkovskit të cilët nuk pranojnë dorëheqjen e liderit.
Turmës së mbështetësve iu drejtua sekretari i partisë Andre Petrov, në përpjekje për të qetësuar masën.
"Motivet e tij nuk janë për shkak se ai është i lodhur dhe as që është i sëmurë apo i dëshpëruar. Bëhet fjalë për diçka që është pasojë e asaj që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe. Ne kemi pasur disa forume të Këshillit Qendror të Partisë ku biseduam rreth zgjedhjeve lokale. Ai disa herë pati thënë se në rast se shkojmë në zgjedhje lokale, nën këto kushte, atëherë LSDM-ja do të fitonte më së shumti 3 komuna. Megjithatë këtë ai e merr si mossukses për të bindur shumicën që zgjedhjet të bojkotoheshin", deklaroi Andre Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Kongresi i LSDM-së ku pritet të zgjidhet kryesia e saj e re është caktuar për më 2 qershor. Bedri Rexhallari
Comments