Andrej Zhernovski, pas tre raundeve zgjedhore u zgjodh kryetar i Komunës Qendër. Me këtë rast ai deklaroi se gjatë raundit të parë, për rival kishte Todoroviqin, ndërsa në raundin e dytë dhe të tretë, kishte Nikolla Gruevskin. Fitoren e tij, kandidati i opozitës Zhernovski e cilësoi si fillim të rrëzimit të Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pas shpalljes së rezultatit, një numër simpatizantësh të Zhernovskit u mblodhën para komunës Qendër për të festuar fitoren.
"Në raundin e parë kundërkandidati ynë ishte zoti Todoroviq, në raundin e dytë kundërshtar politik i jonë ishte kryeministri Nikolla Gruevski, kësaj radhe kundërshtar i pushtetit nuk ishim ne, por kundërshtarë të pushtetit ishin qytetarët e Komunës Qendër, të cilët vërtetuan se nuk mundet as ky pushtet por as cilido pushtet ta ndryshoj vullnetin e qytetarëve. Qendra dëshmoi deri në fund se nuk mund të blihet dhe nuk mund të frikësohet. Kjo është fitore që u takon qytetarëve të Komunës Qendër. Ky rivotim le të shërbejë si porosi, jo vetëm për këtë Qeveri por për të gjitha qeveritë e ardhshme se ai që do të niset kundër vullnetit të qytetarëve do të përfundoj me një disfatë edhe më bindëse", deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i komunës Qendër.
Ndërkohë VMRO DPMNE-ja ka pranuar humbjen në Komunën Qendër dhe atë të Strugës. Partia në pushtet ka kërkuar nga kandidatët fitues, që të angazhohen maksimalisht për të mirën e qytetarëve të komunave në fjalë.
"Dëshiroj t'ju uroj fitoren kandidatëve të LSDM-së dhe PDSH-së në Komunën Qendër dhe Strugë. Ju urojmë punë të frytshme, ku shqetësim thelbësor do të kenë interesat dhe nevojat e qytetarëve në komunat ku ata sot u zgjodhën për kryetarë komunash", tha Ilija dimovski, VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, në bllokun politik maqedonas ku gara zgjedhore u zhvillua mes Koalicionit 'Për një Maqedoni më të mirë" të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe 'Aleanca për ardhmëri' të udhëhequr nga LSDM-ja, komunat e fituara janë në proporcion 58 ndaj 4. 58 komuna fitoi koalicioni i kryesuar nga VMRO-ja derisa ai i kryesuar nga LSDM-ja vetëm 4 komuna. Në rast se këtë e shndërrojmë në vota, VMRO-ja në këto zgjedhje ka fituar 115 mijë vota më shumë në listat për këshilltarë, derisa 140 mijë vota më tepër për kandidatët për kryetarë Komunash. Bedri Rexhallari
Comments