Antimonopoli në mbrojtje të monopolit!

  • 9 years ago
Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës nuk brengoset për monopolin e kompanisë ONE, në procesin e digjitalizimit të televizioneve. Nga ky komision shprehen se mekanizmat që posedon Agjencia për komunikime elektronike, janë garanci e mjaftueshme për parandalimin e keqpërdorimit eventual të pozicionit dominues të ONE në treg. Sipas tyre, kjo do të thotë se kompania do të jetë rreptësisht e kontrolluar. Në përgjigjen me shkrim, nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës thonë:

"AKE-ja mundet që një operatori me fuqi të konsiderueshme në treg, t'ia imponojë obligimin që lartësia e çmimeve të shërbimeve që ai i ofron të jenë të mbështetura në shpenzimet reale. Njëherësh mund të vendosë kontroll në çmimet nëse konsideron se në bazë të analizës paraprakisht të përgatitur në treg ekziston mungesë e konkurrencës efikase në kushte kur operatori paraprakisht ka vendosur çmime shumë të larta, ose është lëshuar në vendosjen eksploatuese të çmimeve në dëm të shfrytëzuesve përfundimtar".

Nga Komisioni bëjnë me dije se nëse marrin njohuri për keqpërdorim eventual të pozicionit dominues të ONE në procesin e digjitalizimit të televizioneve, atëherë menjëherë do t'i qasen sanksionimit. Digjitalizimi i televizioneve, që pushteti dëshiron ta shtyjë në derë të vogël prej 1 qershorit, krijon kaos në treg. Një pjesë e njohësve tashmë bënë të ditur se me faktin që vetëm ONE do ta zbatojë këtë proces, do të krijohet kompani monopoliste e cila më pas vështirë se do të mund të kontrollohet. Praktikisht televizioneve tani u urdhërohet që të digjitalizohen edhe atë vetëm tek operatori ONE të cilit do të duhet t'i paguajnë 160 mijë euro kompensim vjetor. Me këtë rast, televizionet nuk do të kenë të drejtën e zgjedhjes së operatorit tjetër në procesin e digjitalizimit.

"Ju krijoni monopol nga sektori ku nuk kishte monopol, ku secili televizion e kishte frekuencën e vet. Krijuat monopol madje monopol të tillë ku nuk ka mjete që të kontrollohet çmimi i monopolit. Do ta shohim situatën në të cilën mund të ndodhë që kompania të bëjë presion mbi organet rregullatorë që të shpallin konkurse të reja për transmetues të rinj radiodifuzivë që të mbështetet modeli i tyre i biznesit, në rast se nuk ua tregon fitimet për aq sa kanë menduar ata dhe shteti që t'u gjejë klientë të rinj, do të duhet të shpallë konkurse të reja. Ky është një kaos që tek tani do ta zgjidhim", tha Roberto Beliçanec, Qendra për Zhvillimin e Mediave.

Ndryshe, digjitalizimi duhet të zbatohet me Ligjin për media, por meqë miratimi i tij është anuluar për dy muaj, tani Qeveria me procedurë të shpejtuar bën ndryshime të Ligjit ekzistues për radiodifuzion, për ta shtyrë përpara digjitalizimin. Në këtë mënyrë, sipas një pjese të ekspertëve që këtë javë publikisht komentuan në këtë temë, keqpërdoret instrumenti për miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtër dhe të shpejtuar, në dëm të qytetarëve, mediumeve dhe të drejtës për informim. Natasha Stojanovska

Recommended