Zhernovski: Do të luftojmë deri në fund

  • 9 years ago
Andrej Zhernovski do të vazhdojë deri në fund betejën për Komunën Qendër, edhe përkundër vendimit për rivotim të sjell në Gjykatën Administrative. Kandidati i opozitës maqedonase për Komunën Qendër vendimin e tillë të Gjykatës e ka quajtur të turpshëm dhe tentim për fshehjen e krimit dhe korrupsionit në Komunën Qendër, të bërë me projektin Shkupi 2014.

"Ky është turp i madh për Maqedoninë. Kjo karikaturë e demokracisë vështirë të gjendet edhe në regjimet më famëkeqe që njeh historia, në Evropë dhe në botë. Jemi dëshmitarë të shkeljes dhe nënçmimit të qytetarëve të Qendrës dhe vullnetit të tyre, të cilët edhe në rrethin e parë dhe të dytin u shprehën qartë: fitore për opozitën. Motivi është një, të fshihet krimi i bërë në Komunën Qendër, sidomos me projektin Shkupi 2014", tha Andrej Zhernovski, kandidat i opozitës për Komunën Qendër.

Në Komunën Qendër do të ketë rivotim në katër vendvotime për rrethin e dytë zgjedhor. Gjykata administrative ka pranuar katër nga 34 padi të parashtruara nga VMRO-DPMNE-ja lidhur me vendimet e KSHZ-së, e cila paraprakisht kishte refuzuar të gjitha ankesat për komunën Qendër. Ndërkohë, LSDM-ja mbrëmë ka paraqitur 60 ankesa pranë Gjykatës Administrative për komunat Aerodrom, Gjorçe Petrov, Butel, Veles, Manastir, Bogdanci, dhe Jegunovcë. Afati për shqyrtimin e ankesave nga ana e Gjykatës Administrative përfundon nesër në mbrëmje. Partia e Gruevskit ka kërkuar rivotim në shumë qendra votimi në Kumanovë, ndërsa BDI ka kontestuar votimin në disa qendra votimi në Studeniçan. Sipas vendimit të Gjykatës Administrative, fitues mbeten kandidatët e opozitës; Azem Sadiku nga PDSH-ja për Studeniçanin dhe Zoran Damjanovski nga LSDM-ja në Kumanovë. Benjamin Arifi

Recommended