Katër gra kanë fituar postet e kryetarëve të komunave në zgjedhjet e sivjetme, për dallim nga zgjedhjet e vitit 2009 kur nuk kishte asnjë kryetare të komunës. Kjo sipas Lobit femëror të Maqedonisë është përparim i caktuar, por megjithatë nga Lobi shprehen se gratë duhet të kenë pjesëmarrje më të madhe në pozicionet vendimmarrëse. Kisella Voda, Tetova, Gradsko dhe Bogdanci janë komunat në krye të të cilave erdhën gra. 33 për qind e numrit të këshilltarëve të zgjedhur në zgjedhjet e sivjetme janë gra që paraqet përparim për tre për qind krahasuar me vitin 2009 kur ka pasur 27 për qind. Por, nga shoqata shprehen se janë duke u ushtruar presione që disa nga gratë-këshilltare të heqin dorë nga postet e tyre.
"Të mos ushtrohet presion mbi gratë që të heqin dorë nga mandatet e veta, kemi disa njohuri se janë duke u ushtruar presione dhe bëjmë thirrje që të mos ushtrohet presion nga partitë politike, e nga ana tjetër, bëjmë thirrje që gratë të cilat i kanë fituar mandatin për këshilltare të mos heqin dorë", tha Daniella Dimitrievska -- Drejtore e Lobit femëror të Maqedonisë.
"Numri i kryetareve të zgjedhura të komunave, shikuar në aspektin statistikor, është përparim prej 400 për qind në krahasim me vitin 2009, ndërsa e dimë se janë vetëm 4 vende, në aspektin numerik mundet pak të na i mbush zemrat, por as prej së afërmi nuk mund të jetë sinjal se kemi bërë diçka më tepër", u shpreh Dushica Dimitrovska -- Universiteti Evro Ballkan.
Sivjet në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave janë kandiduar 339 kandidate, ndërsa prej tyre vetëm 26 gra. Nga Lobi femëror i Maqedonisë kërkuan që përfaqësuesit e zgjedhur të pushtetit lokal të kontribuojnë për zbatimin e aktiviteteve të balancuara gjinore prej të cilave do të kenë përfitime të njëjta edhe burrat edhe gratë. Bojana Simonoviq