Kishim durim dhe mirëkuptim për shumicën, por ka ardhur koha të zgjidhet çështja e emrit dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s. Kështu përmes një kolumne në shtypin ditor në vend atë maqedonas dhe shqiptarë i është drejtuar kryeministrit Gruevski por edhe opinionit të gjerë kreu i BDI-së, partisë shqiptare në pushtet Ali Ahmeti. "Koha është për NATO", është titulli i artikullit të Ahmetit në të cilën mes tjerash thuhet:
"Ne kemi pasur durimin, mirëkuptimin për ndjenjat e shumicës, për senzitivitet dhe përgjegjshmërinë edhe të partnerëve tanë politik bashkëqeverisjes, por edhe të mirëkuptimit rajonal e ndërkombëtar. Kemi pritur me një përgjegjësi dhe mirëkuptim. Por, ka ardhur momenti kur nuk duhet të mungoj guximi dhe vendimi që të bëhen të gjitha që janë në përgjegjësinë tonë për të hequr çdo pengesë që të jemi aty ku duhet të jemi: pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Për ne, ky vendim nuk mund të ketë alternative", shkruan kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Ai ka përkujtuar partnerin e tij Gruevki por edhe opinionin e gjerë posaçërisht atë maqedonas se anëtarësimi në NATO nuk është çështje për cilën mund të diskutohet. Tani është koha për vendime të guximshme që do ta çojnë vendin përpara.
'Për mua, dhe besoj edhe për shumicën që ja duan të mirën popullit dhe këtij vendi, si dhe paqes në rajon, nuk bëhet fjalë për dilemën a duhet të lëvizim drejt integrimeve Euro-Atlantike. Madje, edhe nesër është vonë, më duket mua. Nëse dikush thirret në emër të pjekurisë, patriotizmit, interesit qytetar, racionalitetit dhe pse jo edhe përcaktimit identitar, atëherë them se nuk duhet të kemi më asnjë dilemë që mu tash është momenti që Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj së bashku me vendimmarrësit të bëjnë hapin e duhur. Për dikë, kjo mund të jetë sensitive, e kalkulueshme, çështje identitare. Por për një vend, është pjesë edhe e identitetit kah dëshiron të pozicionohet, me çfarë vlerash dëshiron të jeton dhe të prezantohet. Për çdo qëllim të madh, duhet edhe të merret një vendim i madh. Dhe për të dyja këto, duhet kurajo. Një kurajo e përbashkët', shkruan Ahmeti.
Ky qëndrim publik i Ahmetit vjen në kohën kur bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit kanë marrë një dinamikë të re dhe vetëm pak ditë pasi negociatori Metju Nimic në Nju Jork dy palëve u prezantoi propozim të ri për zgjidhjen e kontestit të ermit e që në opinion spekulohet të përmbaj në vete emrin Maqedonia e epërme. Gjithashtu ky shkrim përkon edhe me afrimin datës ku Brukseli zyrtar duhet publikoj raportin mbi progresin e Maqedonisë. Melihate Rustemi
Comments