UEJL, shënoi 'Ditën e Hapur'

  • 9 years ago
Universiteti i Evropës Juglindore shënoi sot 'Ditën e Hapur' një eveniment tradicional që realizohet që nga themelimi i tij. Kjo ditë shpalos ambiciet për ndërkombëtarizimin e programeve të këtij universiteti, deklaroi rektori i këtij universiteti Zamir Dika. UEJL, gjatë vitit të ri akademik 2013/2014 do të fillojë me ofrimin e programeve studimore të integruara. Në fillim, programet e integruara do të ofrohen në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, ku do të jenë të angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë. Këto programe, do të ofrohen në gjuhën angleze dhe në bashkëpunim me ekspertë të integruar nga Gjermania, ku 50% e mësimit zhvillohet në universitet, ndërsa 50% në kompani.

"Me këtë konkurs për këtë vit akademik ofrojmë 19 programe deri-diplomike, 30 programe të magjistraturës, 4 programe online, i vetmi universitet që ofron kështu programe në rajon dhe këtë vit 6 programe në ciklin e tretë, apo doktoraturë, me 12 module dhe në mënyrë të organizuar nëpërmjet shkollës së doktoraturës po promovojmë këtë shkollë në UEJL. Këto programe vazhdojnë të jepen në 5 fakultete, edhe atë në Fakultetin e Biznesit të Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Fakulteti i Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Fakulteti i Gjuhëve Kulturave dhe Komunikimit dhe Fakulteti i Drejtësisë", deklaroi Zamir Dika -- rektor i UEJL-së

Këtë vit, në UEJL do të regjistrohen 1 mijë e 300 studentë me qëllim që të ruhen ambiciet e cilësisë së lartë të arsimit universitar me standarde ndërkombëtare. Sipas rektorit të UEJL-së, Zamir Dika universiteti që ai drejton prej shtatorit, do të zgjerojë aktivitetin e tij në Shkup, edhe në një tjetër objekt të ri. Valmir Kuçi

Recommended