KSHZ, betejë etnike për Strugën!

  • 9 years ago
Betejë e ashpër etnike në Komisionin Shtetëror Zgjedhor rreth ankesave të VMRO DPMNE-së, për zgjedhjet në Komunën e Strugës. Që gjatë debatit të mbrëmshëm, u shqyrtuan 4 nga gjithsej 17 ankesat e paraqitura për këtë komunë nga partia në pushtet. Dy prej tyre u refuzuan, ndërsa 2 të tjera, falë mbivotimit të anëtarëve shqiptarë të KSHZ-së nga ata maqedonas, u pranuan. Ankesat e pranuara kanë të bëjnë për vendvotimin 18-60, ku të drejtë vote kanë 762 qytetarë dhe vendvotimi me numër 18-77, ku të drejtë vote kanë 800 qytetarë. Njëra ankesë kishte të bënte me arsyetimin se, për një kohë është votuar me stilolaps në ngjyrë të kaltër, dhe më pas, është ndërruar me stilolaps me ngjyrë të zezë.

"Në rast se dëshironi edhe më tej të vazhdoni kështu, unë po ju them se unë, Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së nuk do të jem pjesëmarrës i anarkisë, mosrespektimit të kushtetutës dhe ligjeve. Në rast se vazhdoni edhe më tej të vendosni kështu, pa kurrfarë argumente, pa kurrfarë baze, atëherë unë do të jem i detyruar që ta braktisë këtë KSHZ. Në rast se kthehemi dhe t'i shqyrtojmë përmes detyrës zyrtare, t'i shqyrtojmë ngadalë, t'i shohim argumentet, të vendosim në bazë të argumenteve, atëherë jam këtu", deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

"Kjo që ndodhi mbrëmë me Strugën, është rast i paparë. Vendimi u morr pa argumente dhe me mbivotim etnik. Kjo është e pa tolerueshme, pa kurrfarë argumentesh, pa kurrfarë dëshmie, absolutisht pa kurrfarë argumentesh. Të anulohet vendvotimi ku nuk ka kurrfarë argumenti, këtë nuk mund ta pranoj. Edhe pse jam përfaqësues i PDSH-së, edhe sepse bëhet fjalë për kandidat të PDSH-së, në rast se ka argumente, unë i pari do të votoj. ..Atje ku ka argumente i pari do të marrë fjalën, pranohet parashtresa, atje ku ka 5 fletëvotimi në kuti, do të anulohet, s'ka shanse të mos anulohet, jo Ziadin Sela por sikur të jetë edhe 'shën Ziadin Sela'. Do të anulohen se vërtet ka parregullsi, por jo edhe tek këto dy vendvotime", tha Bedredin Ibrahimi, anëtarë i KSHZ-së.

Ndërkohë, përfaqësuesit e palës tjetër thonë se pretendimet për argumente me bazë etnike, nuk mbajnë.

"Nuk mbanë ajo që thoni se disa ankesa janë votuar në baza etnike", tha Aneta Stefanovska, anëtare e KSHZ-së.

Pas 17 ankesave për qytetin e Strugës, KSHZ-ja duhet të vazhdojë me shqyrtimin e 252 ankesave të LSDM-së opozitare. Afati për shqyrtimin e ankesave skadoi mbrëmë, në orën 19:00, dhe KSHZ-ja po shkelë afatin kohor për shqyrtim të ankesave të përcaktuara me ligj. Bedri Rexhallari

Recommended