Gruevski dhe Jankullovska, krenar për veprën e Tarçullovskit

  • 9 years ago
Presidenti Ivanov pas kryeministrit Gruevski priti sot Johan Tarçullovskin në kabinetin e tij, ndërsa Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska në pyetjen e Televizionit ALSAT-M, si ndjehet pas pritjes dhe festës për lirimin e vrasësit të civilëve shqiptar, Johan Tarçullovski, thotë se ajo ndjehet krenare për këtë që ka bërë. Sipas saj, Johan Tarçullovski pas lirimit të tij para kohe nga Tribunali i Hagës ku dhe u dënua për vrasje të civilëve, gjegjësisht fëmijëve, grave dhe personave të moshuar shqiptarë në fshatin Luboten të Shkupit gjatë konfliktit të vitit 2001është hero dhe meriton një pritje të tillë.

"A keni ndjerë dje përgjegjësi kur pritët njeriun që ka vrarë civilë të Republikës së Maqedonisë dhe është i dënuar dhe gjykuar nga Tribunali i Hagës?"

"Jo vetëm që nuk mbajë asnjë përgjegjësi por është krenari që të pritet një njeri i cili ka bërë gjithçka që ka mundur në interes të Republikës së Maqedonisë. Johan Tarçullovski u prit si një hero kombëtar. Republika e Maqedonisë 8 vite e ka pritur këtë ditë, ai tani është njeri i lirë dhe ka të drejtë ti gëzojë të gjitha të nderimet për angazhimin e tij me qëllim mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Maqedonisë atëherë kur ajo ka qenë e nevojshme" Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski me një dozë ironie u përgjigjë shumë shkurtë në pyetjen po të TV ALSAT M rreth pritjes së Tarçullovskit në aeroportin e Shkupit dhe kabinetin e tij në Qeveri.

"Zotëri Gruevski vallë për ju është në rregull pritja e organizuar nga Qeveria për njeriun i cili ishte i dënuar për vrasjen e civilëve, gjegjësisht qytetarëve të Maqedonisë, qofshin ata edhe shqiptarë?"

"Në rregull është, po...!", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Johan Tarçullovski i dënuari i Tribunalit të Hagës për vrasje të civilëve shqiptarë në Maqedoni sot u pritë edhe nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov. Ky i fundit i gjatë takimit me Traçullovskin kishte theksuar se nuk dëshiron askujt ti ndodhë ajo që kishte përjetuar Johan Tarçullovski gjatë 8 viteve të kaluara. Ivanov gjithashtu tha se lirimi i Tarçullovskit dhe kthimi i tij në Maqedoni duhet të përfaqësojë hap përpara drejt pajtimit të mëtejshëm dhe ndërtimit të bashkëjetesës në Maqedoni ashtu edhe siç është praktikuar çdoherë në këto treva duke harruar faktin se ai u dënua për krime lufte dhe vrasjes së civiëve shqiptarë të Lubotenit të cilët duhet ti përfaqësoj edhe vetë presidenti i këtij shteti. Valmir Kuçi

Recommended