Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani do të ndjek veprimtarinë e liderit tjetër opozitar, atë të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe nuk e ndjen të nevojshme as ti rri besnik fjalës së dhënë publike, se në rast të humbjes në zgjedhjet lokale do tërhiqet nga skena politike. Nuk e sheh të arsyeshme të tërhiqet pasi që sipas tij nuk paska pasur situatë normale zgjedhore. Në paraqitjen e tij të parë pas zgjedhjeve të ditës së diel, Osmani thotë se do të vazhdojë me veprimtarinë e tij politike bashkë me deputetin e tij Izet Zeqiri.
"Deklaratat e mija kanë të bëjnë me situata normale zgjedhore, jo me situata zgjedhore si kjo ku ne kishim shtet rrethim të demokracisë, një dhunim të demokracisë, një korrupsion masiv dhe një shkelje të vullnetit politik të shumicës së elektoratit shqiptarë. Në këtë situatë unë jam i obliguar të respektojë vullnetin e mbi 35 mijë votuesve të RDK-së të cilët në mënyrë eksplicite kërkojnë vazhdimin tim dhe vazhdimin e profesor Izet Zeqirit si bartës të aktivitetit politik në RDK", tha Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.
Fajtorin për humbjen e opozitës në zgjedhjet lokale, por edhe vetë atij në Gostivar, Rufi Osmani e sheh tek lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi të cilin e quajti 'Kali i Trojës' dhe 'Kancer të skenës politike'.
"Do të tentojmë që të dalim nga një qorrsokak politik i cili kryesisht është pasojë e disa faktorëve. Fillimisht është pasojë e korrupsionit masiv që ka ndodhur në këto zgjedhje, është pasojë e ndikimit të drejt për drejt të organeve shtetërore në procesin zgjedhor dhe së treti të rolit të 'Kalit të Trojës' të PDSH-së si parti opozitare", deklaroi Rufi Osmani, kryetar i RDK-së.
RDK ka parashtruar ankesa deri tek Komisioni Shtetëror Zgjedhor për Gostivarin por sipas kryetarit të kësaj partie, Rufi Osmani, ankesat në fjalë nuk do të merren parasysh sepse siç thotë partitë në qeveri kanë vendosur të marrin në duar pushtetin absolut mbi shtetin. Valmir Kuçi
Comments