Kumanovarët protestojnë kundër presioneve të VMRO-së

  • 9 years ago
VMRO DPMNE-ja po tenton që ta marrë me forcë Kumanovën e fituar në zgjedhje nga kandidati i LSDM-së. Kështu akuzon opozita maqedonase, e cila protestoi sot para objektit të komunës, kundër asaj që ata e quajtën tentativë për nëpërkëmbje të vullnetit të qytetarëve. Sipas LSDM-së, mbi 60 persona janë marrë mbrëmë në pyetje në stacion policor të Kumanovës, ndërsa pyetja kryesore ka qenë 'për kë keni votuar'. Gjithashtu, gjykata hetuese ka dhënë urdhër për marrjen në kontroll policor të listave zgjedhore nga tre vendvotime në Kumanovë. Presioni i tillë i institucioneve ndaj qytetarëve dhe përzierja e policisë në procesin zgjedhor, sipas LSDM-së është tentim për marrjen e komunës, duke shfrytëzuar institucionet e partizuara shtetërore.

"Komisionet zgjedhore janë administratorë shtetërorë të cilët VMRO DPMNE i cakton, anëtar i komisionit zgjedhor është edhe anëtar i partisë së tyre, dhe të gjitha institucionet e sistemit, bashkë me policinë, të cilët atë ditë të gjitha vendvotimet i kanë monitoruar. Si ka mundur Zoran Damjanovski të bëj falsifikime. Unë nuk jam magjistar të hyj në të gjitha vendvotimet dhe të vjedhë vota", tha Zoran Damjanovski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

"As në ditët më të zeza, as në komunizëm, kur në këtë mënyrë kanë dashur të vendosin kryetar komunash, Kumanova as atëherë nuk ka lejuar, as tani nuk do të lejojë VMRO DPMNE të vendosë kryetar komunash në këtë mënyrë. Është turp që dje janë thirrur njerëz në polici dhe janë pyetur se për kë kanë votuar", deklaroi Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Hetues policorë në Kumanovë ka dhënë urdhër për kontrollim të listave zgjedhore në tre vendvotime, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të së drejtës së votës. Benjamin Arifi

Recommended