Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Ketrin Eshton shprehu sot keqardhje për vendimin e Serbisë që të refuzojë nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Eshton e cila ka udhëhequr bisedimet në tetë raunde mes Kosovës dhe Serbisë në nivel kryeministrash, ka bërë thirrje sot Serbisë të rishikojë vendimin duke i dhënë kështu edhe një mundësi.
"Shpreh keqardhje për vendimin e Qeverisë së Serbisë që t'i refuzojë propozimet dhe u bëj thirrje që të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të arrihet një marrëveshje për të mirën e popullit të tyre", ka thënë Eshton në një mesazh të shkurtër.
Edhe zëdhënësja e Eshtonit, Maja Kociançiq ka thënë se baronesha kërkon që Serbia të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të pranuar marrëveshjen dhe në këtë mënyrë për të vazhduar rrugën evropiane.
"Zonja Eshton shpreh keqardhje për atë që Serbia ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe bën thirrje që Serbia të bëjë edhe një tentim të fundit që të arrihet deri tek marrëveshja. Ajo thellë beson në ardhmërinë evropiane të Serbisë dhe të Kosovës dhe në atë drejtim dëshiron që të dyja palët të lënë të kaluarën që Serbia dhe Kosova të ecin drejt të ardhmes Evropiane", deklaroi Maja Kociançiq, zëdhënëse e Ketrin Eshtonit.
Edhe Qeveria e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj me refuzimin që pala Serbe i bëri propozimit të dhënë nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se propozimet e dhëna nga BE-ja ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon. Kuçi ka thënë se Kosova nuk do të pranojë që të jetë fajtor kujdestar dhe të ndëshkohet për dështimin e marrëveshjes.
Lidhur me refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë ka reaguar edhe Uashingtoni.
'Shtetet e Bashkuara të Amerikës, inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin të shfrytëzojnë rastin e jashtëzakonshëm dhe të arrijnë marrëveshje që t'u hap rrugën integrimeve evropiane' , ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Patrick Ventrell.
Deputetja e Parlamentit Evropian Doris Pak në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka shprehur gjithashtu keqardhje për refuzimin e Serbisë. Ajo ka shtuar se askush nuk i ka kërkuar Beogradit ta njoh Kosovën, por i kanë kërkuar të ndihmojë të përmirësojë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ndërkohë ka thënë se Mospranimi i marrëveshjes, është lajm i mirë për Kosovën. Shkëlzen Aqifi
Comments