Ministrat e bujqësisë të vendeve të rajonit në takimin në Sarajevë kanë përcaktuar masat që do ti ndërmarrin për parandalimin e aflatoksinës në produktet e qumështit dhe ushqimin për kafshë. Si një nga masat kryesore është komunikimi më intensiv ndërmjet institucioneve kompetente të vendeve të Evropës Juglindore. Kjo do të thotë që do të duhet të vendoset një sistem i hollësishëm i komunikimit dhe i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet institucioneve përkatëse të vendeve të rajonit, si dhe të theksohet rëndësia e marrjes së masave parandaluese tek prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit për kafshë, duke përfshirë edhe aplikimin e praktikave të mira bujqësore, higjienike dhe veterinare. U arrit marrëveshja që të aplikohet trajnimi i vazhdueshëm për përfaqësuesit qeveritarë, për inspektorët, personelin laboratorik, prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit, përfshirë edhe bujqit. Përveç kësaj, është shqyrtuar edhe mundësia që të përdoret një laborator referent për analizën e ushqimit, por edhe të standardizohen procedurat për marrjen e mostrave të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Takimi i ministrave u mbajt në Sarajevë, kurse Maqedonia përfaqësohej nga ambasadori Sami Rexhepi. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Kroaci. Takimet e tilla vijnë pasi u konstatua prania e rritur e aflatoksinës në misër, që përdoret si ushqim për kafshët dhe për shkak se janë gjetur sasi të mbi normën e lejuar të aflatoksinës në qumësht dhe në produktet e qumështit. Natasha Stojanovska
Comments