Kalojnë ministrat, Berisha PS-së "Minorancë e nisët, ashtu e sosët"

  • 9 years ago
TIRANE - Me votat e mazhorancës dhe të 3 ish-deputetëve opozitarë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot katër emrat e rinj të ministrave, të cilët zëvendësojnë vendet e lëna bosh në kabinetin qeveritar, pas largimit të LSI-së nga koalicioni. Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç edhe deklaroi mëngjesin e sotëm, abstenoi për këto emërime, ndërkohë që votave të Partisë Demokratike iu bashkuan edhe të tre ish-deputetëve socialistë, Gjovalin Kadelit, deputet i qarkut të Lezhës, Asllan Dogjanit, deputet i qarkut të Kukësit, dhe Kastriot Islamit, të cilët pas bashkëpunimit të ri me LSI-në, u larguan nga Partia Socialiste.

Menjëherë pasi Parlamenti miratoi emërimet e Berishës, të dorëzuara mbrëmë në Presidencë dhe të dekretuara në kohë rekord nga kreu i Shtetit, Bujar Nishani, (rreth orës 23:30), shefi i mazhorancës u shpreh se nuk u realizua përpjekja e Edi Ramës për të shkuar në qeveri teknike.

"Ju përmbysët një përpjekje primitive të Edvin Ramës për të shkuar në qeveri teknike në të cilën dështoi. Zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë do të mbeteni. Urime!

Topalli: "Urime qeverisë së re, ministrave të rinj, mbyllet seanca". Me këto fjalë u mbyll seanca e sotme, e para pas largimit të LSI-së nga qeverie dhe bashkimit të saj në koalicionin parazgjedhor opozitar me socialistët.

Ilir Meta, i cili ka qenë aleat i qeverisë Berisha prej shtatorit të vitit 2009, deklaroi për mediat se LSI e ka filluar ditën e sotme si një forcë në opozitë, duke iu referuar këtu qëndrimit të kësaj force politike për emrat e rinj të kabinetit qeveritar, që zëvendësuan 3 ministrat e larguar nga LSI. Ndërkohë që kryetari i Grupit LSI-së, Lefter Koka deklaroi para fillimit të seancës plenare se do të abstenonin emrat.

EMERIMET E MINISTRAVE

Myqerem Tafaj (ministër i Arsimit) emërohet zv/kryeministër: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Halim Kosova emërohet Ministër i Shëndetësisë: 72 vota pro; 58 kundër; 3 abstenim
Aldo Bumçi (lë Ministrinë e Kulturës) emërohet Ministër i Jashtëm: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Florion Mima emërohet minitër i Ekonomisë: 72 vota pro; 59 kundër; 3 abstenim
Visa Zhiti emërohet ministër i Kulturës: 72 vota pro; 57 kundër; 4 abstenim

Recommended