Hani: Komuna nuk reagoi me kohë për Haradinajn

  • 9 years ago
Komuna e Tetovës nuk ka shfrytëzuar mundësinë ligjore që brenda tri ditësh, të animonte vendimin e e Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal, përkatësisht drejtorit Vanço Shehtanski, që anuloi titullin "qytetar nderi" për Ramush Haradinajn. Kështu deklaroi ministri i Pushtetit Lokal Tahir Hani. Ai tha se ky akt i komunës së Tetovës lë të kuptohet se ata janë pajtuar me vendimin e Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal.

"Dëshirojë të shprehë keqardhjen që Komuna e Tetovës nuk reagoi me ankesë ndaj vendimit të Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal i firmosur nga drejtori Vanço Shehtanski dhe në këtë drejtim marrë në aspektin ligjor i hiqet e drejta Ministrisë së Pushtetit Lokal si shkallë e dytë e animimit nga ana e këtij dikasteri me qëllim që të mund të marr vendim meritor në aspektin e vendimit të Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal. Përgjegjësinë për një epilogë të këtillë të vendimit të Inspektoratit Shtetëror është Komuna e Tetovës", tha Tahir Hani -- Ministër i Pushtetit Lokal.

Sipas Hanit, Këshilli i Komunës së Tetovës ka respektuar të gjitha procedurat për shpalljen e Haradinajt "qytetar nderi", por nuk ka ditur ta mbrojë atë, megjithë faktin se vendimi i drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal Vanço Shehtanski është i motivuar në baza etnike, i pabazë dhe antikushtetues.

"E para, një nga mbështetjet kryesore të vendimit të këtij inspektorati është se nuk është respektuar rregullorja e punës së Komunës së Tetovës, gjë që nuk është e saktë. Ngritje të iniciativës për shqyrtimin e mënyrës së votimit të pikës së dytë të rendit të ditës të Këshillit të Komunës së Tetovës që shpallja qytetar nderi Ramush Haradinajn të votohet me parim të badenterit nuk ka pasur nga ana e këshilltarëve maqedonas dhe kështu që komisioni nuk ka pasur materie, nuk ka pasur iniciativë, nuk ka pasur mundësi që të mbajë mbledhje për të vendosur me parimin e Badenterit d.m.th të gjitha mbështetjet e Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal janë në kundërshtim me atë që ata thirren", u shpreh Tahir Hani -- Ministër i Pushtetit Lokal.

Ndërkohë, nga Komuna e Tetovës refuzojnë të komentojnë se për çfarë arsye nuk kanë parashtruar ankesë që të parandalojnë vendimin e Inspektoratit Shtetëror të Pushtetit Lokal. Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj nuk është më qytetar nderi i Tetovës pasi ky aktvendim tashmë ka hyrë në fuqi dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë. Ramush Haradinaj mori statusin e Qytetarit të Nderit në Tetovë, më 31 janar. Valmir Kuçi

Recommended