Hipokrizia e të vegjëlve

  • 9 years ago
Në këto orë tërmeti politik në Shqipëri, pas njoftimit të Ilir Metës për të dalë nga Qeveria e Sali Berishës dhe pas deklaratës së PS-së për të bërë një koalicion parazgjedhor, të mëdhenjtë e të majtës (si në Tiranë ashtu në Europë) festojnë, ndërsa të vegjlit dridhen. Ose më mirë: të vegjlit janë përfshirë nga një klimë hipokrizie të përgjithshme, e njëjta që në vitin 2005 çoi në humbjen e Partisë Socialiste të udhëhequr nga Fatos Nano dhe në triumfin e Sali Berishës.

Mesazhi hipokrit dhe pa asnjë kuptim politik është ky: më mirë të humbim vetëm sesa të fitojmë me LSI. Kush e thotë? E thotë ndonjë deputet socialist i pakënaqur nga lidershipi i Edi Ramës dhe që bën një opozitë të përhershme nga brenda, e thotë ndonjë anëtar i kryesisë që shpresonte në shpartallimin elektoral të PS-së për të marrë drejtimin e partisë, e thotë ndonjë aleat i vogël i PS-së, i ndërgjegjshëm që ato pak dhjetëra vota që i ka sjellë gjithnjë koalicionit të qendrës së majtë, pas koalicionit me LSI, peshojnë akoma më pak.

Hipokrizia e përgjithshme që po përfshin një pjesë të vogël të lidershipit të majtë, që në vend të duartrokitjeve për kthesën historike të një të majte më në fund të bashkuar, (edhe pse mes shumë paragjykimesh dhe dyshimesh reciproke, përgatitet të qeverisë e bashkuar në 8 vitet e ardhshme), preferon të emfatizojë urrejtjet personale dhe zilitë, ato që aktorët e dorës së dytë i vuajnë gjithnjë drejt aktorëve të dorës së parë.

Papritur, për të gjithë ata që deri dy ditë më parë shihnin me tmerr rezultatet elektorale, të bindur që asnjë koalicion nuk mund të fitonte i vetëm dhe se Meta do të ishte gjithsesi elementi vendimtar për formimin e qeverisë së ardhshme, papritur, qartësia e fitores së zgjedhjeve, bën që të humbin domethënien e tyre. Të gjithë ata që shihnin si tmerr e ankth mundësinë që Berisha të vidhte votën siç ka bërë dhe herë të tjera, në vend që të gëzohen përballë këtij rreziku të shmangur, fusin kokën nën rërë dh ushqehen me urrejtje.

Rama dhe Meta bashkë nuk do të thotë vetëm mbledhje më në fund e të gjitha votave të majta së bashku duke çuar gati me siguri drejt fitores së zgjedhjeve, por do të thotë edhe pengesë për Berishën që t'i manipulojë ato. Për hipokritët kjo nuk ka rëndësi: ka rëndësi që Rama të mos fitojë, ka rëndësi që Meta të mos fitojë, në mënyrë që pushteti i tyre vetjak të mbijetojë. Dhe përballë kësaj dëshire të marrë, papritur humb vlerë edhe rezultati i madh politik që e majta shqiptare dhe europiane kërkojnë përherë: të nxjerrin jashtë politikës Sali Berishën dhe klanin e tij.

Eshtë ende herët të parashikojmë sot se si Edi Rama dhe Ilir Meta do të dinë të bashkëjetojnë: Të dy duhet të bëjnë një sforcim të madh përulësie dhe sinqeriteti reciprok. Por kjo do të shihet me kohë: Tani ka vlerë fakti që bashkohen për të luftuar bashkë. Impenjimi i të gjithë bazës së majtë është të pretendojë transparencë nga liderët e tyre, duke i mbështetur në një ëndërr bashkimi.

Recommended