Me kërkesë të BDI-së, Këshilli për radiodifuzion konfirmoi sot se video materiali në të cilën paraqitet kandidati i PDSH-së Sadi Bexheti me premtime para banorëve maqedonas , është origjinale. Pas publikimit të këtij video materiali vet Sadi Bexheti tha se i njëjti është montuar dhe është nxjerrë nga kontesti. Por nënkryetari i KRD-së Milaim Fetai hodhi poshtë këto pohime të Bexhetit. Fetai tha se videoja është autentike, dhe është emituar në televizionin lokal tetovar TV Kiss.
"Duke analizuar këtë kemi konstatuar se materialet e emituara janë origjinale dhe nuk ka pasur keqinterpretime dhe shtrembërime gjatë emitimit, por deklaratat i përmbajnë të gjitha elementet e asaj që është emituar fillimisht në televizionin e cekur në Tetovë. Varësisht prej politikës redaktuese dhe nevojave të televizionin diku është dhënë më tepër ose më pak, por në brendi deklarata e kandidatit për kryetar komune Sadi Bexheti është origjinale, dhe nuk ka pasur shtrembërime dhe keqinterpretime gjatë emitimit të këtyre deklaratave në televizionet e ndjekura dhe apostrofuara praprakisht", tha Milaim Fetai, zv/kryetar i KRD-së.
Kandidati i PDSH-së për kryetar të komunës së Tetovës gjatë ditës së djeshme ka mohuar të ketë dhënë deklarata të tilla, duke akuzuar për video montazhë.
"Sqarojmë opinionin se bëhet fjalë për video-montazh që janë fragmente të shkëputura dhe të devijuara nga konteksti. Konsiderojmë se ky është një mashtrim që i bëhet publikut në prag të zgjedhjeve lokale", ka thënë Bexheti.
Videoja e transmetuar në më tepër televizione është fragment nga një vizitë e Sadi Bexhetit në lagjet maqedonase në Tetovë, në kuadër të fushatës së tij parazgjedhore. Benjamin Arifi
Comments